Dy vite rresht në grupet e Conference League-s/ Ballkani i Dajës, krenaria shqiptare në futbollin europian

by admin
Spread the love

Viti 2023 për Ballkanin ka qenë një vit me plot suksese si në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar.

Ekipi simpatik nga qyteti i vogël i Suharekës për të dytin vit rresht arriti të futej në grupet e UEFA Conference League, duke u bërë klubi që po përfaqësonte të gjithë shqiptarët në arenën ndërkombëtare, pasi thuajse të gjitha ekipet shqiptare u eliminuan shumë herët nga garat evropiane.

Arkitekti kryesor i këtij suksesi madhor të Ballkanit ishte strategu nga Tirana, Ilir Daja, i cili, prej kur erdhi në krye të ekipit nga Suhareka, në janar të vitit 2022, fitoi dy tituj kampion në Kosovë dhe për të dytin vit rresht e dërgoi ekipin në grupet e Conference League-s, duke arritur një sukses historik për klubin, diçka që nuk e kishte arritur më parë asnjë klub tjetër në Kosovë.

Portokallezinjtë jo vetëm që po fitonin me Dajën në krye, por edhe po bindnin me lojë, duke fituar simpatinë e gjithë shqiptarëve. Rezultatet dhe lojërat e mira bënë që shumë ekipe të kërkonin lojtarët e Ballkanit dhe në këtë mënyrë pas shitjes së Ermal Krasniqit te rumunët e Cluj, sivjet Ballkani arriti të përfitonte edhe nga shitja e Meriton Korenicës dhe së fundmi edhe nga ajo e Albioni Rrahmanit.

Largimi i titullarëve të padiskutueshëm la gjurmë në lojërat e Ballkanit, megjithatë edhe pa ta Ballkani në krye me Dajën po shkëlqente. Kampionët e Kosovës edhe sivjet patën paraqitje të mira në arenën ndërkombëtare dhe me pak fat kanë mundur ta kalojnë edhe grupin e tyre në Conference League.

Në fakt ata përfunduan në vendin e fundit në Grupin C, por kanë qenë në lojë për të kaluar në fazën e nokautit deri në ndeshjen e fundit në Zagreb kundër Dinamos ndaj të cilëve humbën 3-0. Megjitahtë Ballkani mundësinë për ta kaluar grupin dhe për t’u bërë ekipi i parë mbarëshqiptarë që arrin një sukses të tillë e lëshoi në ndeshjet si vendës kundër Astanës në Prishtinë dhe Plzen në Tiranë, në të cilat nuk fitoi asnjë pikë. Pavarësisht eliminimit Ballkani la shumë përshtypje me paraqitjet e saj në Conference League dhe sidomos nuk do të harrohet lehtë fitorja sensacionale që e arriti në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, kur mundi 2-0 gjigantët e Dinamo Zagrebit.

Paraqitjet e mira kanë ndikuar që sytë e ekipeve evropiane të kthehen përsëri kah Ballkani dhe sipas të gjitha gjasave në afatin kalimtar të janarit klubi pritet të shesë Lumbardh Dellovën, për të cilin ka marrë ofertë 1 milion dollarë, si dhe Armend Thaqin dhe Qëndrim Zybën, për të cilët gjithashtu ka oferta serioze.

Nuk ka asjnë dyshim se Ballkani ka qenë kryefjala e futbollit Kosovar në vitin 2023 dhe sukseseve të saj ia kanë pa hajrin edhe ekipet tjera kosovare, pasi që nga edicioni i ardhshëm në garat evropiane do të marrin pjesë katër ekipe nga Superliga e Kosovës.

Pavarësisht energjisë së madhe të shpenzuar në garat evropiane, Ballkani nuk e ka lënë anash as Superligën dhe është lider në tabelë dhe në rrugë shumë të mirë ta mbrojë titullin e kampionit. Pak edhe për neglizhencën dhe krizën e klubeve tjera, që po e përcillnin  në tabelë dhe të cilat nuk po arrinin ta shfrytëzonin lodhjen e e tyre, Ballkani vitin 2023 e mbylli në vendin e parë dhe do të bëjë të pamundurën që ta mbrojë titullin e kampionit dhe të bëhet gati që të jetë edhe më i fortë për garat e ardhshme evropiane për vitin e ardhshëm me në krye strategun Ilir Daja, i cili nga opinion sportiv në Kosovë është mbështetur që të jetë edhe selektori i ardhshëm i Kombëtares së Kosovës.

Një ekip që vjen nga një qytet i vogël, por që me rezultatet e arritura emrin e Ballkanit po e rrit gjithnjë e më shumë në arenën vendore dhe atë ndërkombëtare./Shqip


Top Channel

You may also like