Dy gola spektakolarë sjellin fitoren e parë, Kosova tregon forcën në Qipro

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Start perfekt për Kosovën në Grupin 2 të Ligës C në Nations League. Dardanët e Alain Giresse triumfuan 0-2 në “AEK Arena”, Larnaca, falë dy golave në pjesën e dytë.

Kosova pati dëshirë në fraksionin e parë, por edhe shumë pasiguri. Valon Berisha dhe Edon Zhegrova kërcënuan vendasit, teksa në 45 minutat e dyta kishte vetëm një ekip në fushë.

Sulmuesit e Kosovës u vunë në garë se kush humb më shumë raste. Mundësi të mira patën Vedat Muriqi, Milot Rashica, Blendi Idrizi dhe Edon Zhegrova, teksa golin e gjeti Valon Berisha (65’) me një gjuajtje shumë të bukur pas asistit të Muriqit.

Më pas Edon Zhegrova “show”. Lojtari i Lille ishte i papërmbajtshëm në krahun e djathtë, teksa 12 minuta përpara fundit realizoi një gol për kornizë.

Sfida e radhës do luhet më 5 qershor ndaj Greqisë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, teksa Irlanda e Veriut është rivalja tjetër në këtë grup.

Qipro-Kosovë 0-2 (Valon Berisha 65′, Edon Zhegrova 78′)

Kronika e ndeshjes:

85′ Zhegrova i papërmbajtshëm në krahun e djathtë, driblon lojtarin që ka përballë dhe kërkon Rashicën, largon rrezikun mbrojtja vendase.
00:12

78′ Super Edon Zhegrova, 0-2 për Kosovën. 23-vjeçari i Lille tallet me mbrojtjen kundërshtare dhe realizon një eurogol pas topit të marrë nga Loshaj.

71′ Djemtë e Giresse pranë golit të dytë, por devijimi i Fidan Alitit ndalet në shtyllë.

68′ Edon Zhegrova insiston për të shënuar, pret portieri Michail.

65′ Më në fund vjen goli për Kosovën. Zhegrova dhe Muriqi kombinojnë bukur, topi shkon te Valon Berisha, i cili gjen rrjetën falë një goditje shumë të bukur.

63′ Milot Rashica kërkon portën, por gjuajtja është qendrore dhe pritet pa probleme.

59′ Edon Zhegrova dhuron “show”, shmang kë i del përpara dhe i beson teknikës në gjuajtje, topi ngjitur me shtyllën.

56′ Tjetër shans i mirë për Milot Rashicën, i cili merr një tjetër top nga Muriqi. Diagonalja përfundon ngjitur me shtyllën.

55′ Minuta shumë të mira për Kosovën. Muriqi i kthen reston Rashicës, pritje e mirë e portierit të Qipros.

55′ Shans i mirë për Blendi Idrizin, por 21-vjeçari i Schalke 04 nuk është i saktë.

54′ Zhegrova-Rashica, Vedat Muriqi! Aksion fantastik i Kosovës, sulmuesi i Mallorca ndalet nga portieri vendas.

51′ Kosova e ka nisur shumë mirë pjesën e dytë. Kombinime të bukura në krahun e majtë, krosim i Berishës, Muriqi fiton duelin ajror me mbrojtjen qipriote, por topi përfundon jashtë.

49′ Topi i gjatë i portierit Muric për Vedat Muriqin. Sulmuesi nga Prizreni gjuan me kokë, por nuk ka forcë. Pret pa probleme Neofytos Michail.

45′ Edon Zhegrova lëviz bukur dhe tenton cepin e portës kundërshtare, një mbrojtës dhe portieri e devijojnë në këndore.

41′ Mundësi shumë e mirë për Qipron. Pieros Sotiriou merr një top nga krahu i djathtë, devijimi i tij kalon ngjitur me shtyllën.

37′ Goditje dënimi për Qipron. Gjuan Charalampos Kyriakou, devijon topin muri dardan.

30′ Dalje e shpejtë e Qipros, Mirlind Kryeziu kryen një ndërhyrje fantastike duke evituar rrezikun.

25′ Valon Berisha tenton portën me një gjuajtje potente, topi mbi traun e portës qipriote.

11′ Aksion i bukur i Kosovës. Edon Zhegrova kthen bukur një top në zonë, nuk përfitojnë Muriqi dhe Berisha.

8′ Pieros Sotiriou kontrollon mirë një top dhe gjuan nga larg, i pasaktë sulmuesi i Ludugorets.

1′ Fillon ndeshja në AEK Arena (Larnaca). Dardanët tentojnë ta nisin me fitore aventurën në Grupin 2 të Ligës C.

Kosova nis rrugëtimin në edicionin e tretë të Nations League me sfidën e parë në Grup, që është ajo përballë Qipros në Larnaka. Trajneri Allain Giresse ka ndarë mendjen për formacionin, duke zgjedhur rreshtimin 4-3-3, me treshen Zhegrova-Muriqi-Rashica në sulm.


Top Channel

You may also like