Duke pritur zgjidhjen

by admin
Spread the love

Daut Dauti

Çfarëdo që është rezultati i luftës në Ukrainë, rrethanat e krijuara na shtyjnë të shpresojmë që Europa dhe SHBA-të do ta shohin afrimin e mëtejmë të Kosovës në gjirin e tyre si masë të domosdoshme. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ndikonte në sigurimin e ardhmërisë së këtij vendi dhe, njëkohësisht, do ta detyronte Serbinë që të heqë dorë nga tendencat territoriale dhe destabilizimi i rajonit.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Rrezikun që është duke e paraqitur Rusia për botën, sidomos për Ballkanin, ka origjinë të hershme dhe lidhet me lindjen e aspiratave ruse për t’i përfshirë në gjirin e saj të gjithë popujt sllavë. Kjo ide u bë edhe më e rrezikshme kur në fillim të shek XIX u formua Lëvizja Pansllave. Kjo lëvizje e cenonte stabilitetin e perandorisë austro-hungareze dhe asaj osmane, duke i cytur për kryengritje popujt sllavë që jetonin brenda territoreve të këtyre dy perandorive. Fuqitë europiane nuk e kanë kundërshtuar këtë ide edhe aq shumë kur ishte fjala për Ballkanin dhe Perandorinë Osmane. Në një mënyrë, edhe para Kongresit të Berlinit (1878), Rusisë i ishte hapur rruga për depërtim në Ballkan. Ky ka qenë një gabim i Europës, i cili është përsëritur në krizat që kanë ndodhur deri sot në Europën Lindore dhe në Ballkan. Në Europë të paktë kanë qenë ata që e kritikonin këtë qasje.

Edith Durham e ka njohur Ballkanin më mirë se gjithkush tjetër. Ajo ka qenë ndër ekspertët e rrallë që i kishte paraparë pasojat që do t’i shkaktonte depërtimi i idesë pansllave në Ballkan e gjetiu. Rezultatin e kësaj ideje, Durham-i e ka paraqitur në shkrimet e saj, duke bërë me dije për krimet që serbët, malazezët, bullgarët dhe grekët i shkaktuan në luftërat ballkanike (1912-1913), të cilat kryesisht u ushtruan ndaj shqiptarëve për shkak se ky popull nuk kishte asgjë të përbashkët me sllavët. Në Luftën e Parë Botërore (1914-1918), Britania mori anën e Rusisë për të cilën gjë Durham-i shkroi se britanikët duhet të turpërohen. Rezultati i këtyre luftërave nuk solli stabilizim në Ballkan, për shkak se u favorizuan sllavët dhe grekët. Në themelimin e shteteve, sidomos në rastin e Shqipërisë, u shkel rëndë parimi i shtrirjes nacionale.

Në fillim të vitit 1944, kur rezultati i Luftës së Dytë Botërore u bë i parashikueshëm, Edith Durham-i pati një këshillë për britanikët dhe amerikanët. Këshilla përafërsisht thoshte: “Mos e bombardoni Gjermaninë deri në shkatërrim të plotë, sepse teutonët (gjermanët) na duhen për luftën tonë të ardhshme me Rusinë”.

Sado që Durham-i dhe disa intelektualë të tjerë kishin të drejtë, paralajmërimet e tyre u injoruan nga qeveritë e fuqive europiane. Interesat shtetërore në këtë rast kanë qenë të atilla, saqë Rusia është përkrahur nga Europa më shpesh e më shumë se që është dashur. Pas rënies së BRSS-së, shtetet europiane dhe SHBA-të e kanë ngritur Vlladimir Putinin deri në një lartësi nga e cila tashti e kanë vështirë ta zbresin. Të gjithë i kanë mbyllur sytë kur Putini i shkelte të drejtat e njeriut dhe të popujve dhe shteteve, siç ishte rasti i Gjeorgjisë, Çeçenisë dhe rasteve të tjera. Askush nuk ka besuar se një ditë Putini do ta sulmonte Ukrainën. Një mosbesim i tillë është i bazuar në injorimin e ambicieve pansllave ruse. Por, në këta rast, në anën e Putinit shohim edhe mbivlerësimin e efektit të pansllavizmit. Prandaj, as Perëndimi e as Putini nuk kanë besuar se ukrainasit do t’i rezistonin kaq fuqishëm ushtrisë ruse. Pansllavizmi, me të cilin Putini është duke tentuar që ta kthejë fuqinë ruse të kohës sovjetike, në Ukrainë është duke dështuar. Ukrainasit nuk janë të interesuar në këtë vëllazëri të shkelur nga koha dhe janë të orientuar kah Perëndimi.

Sado që mund të zgjasë lufta në Ukrainë dhe sido që të përfundojë, ajo krijon efekt në Ballkan. I vetmi vend në botë, që ka dalë në përkrahje të Rusisë, është Serbia. Lidhjet e vjetra të vëllazërisë sllave me Rusinë në Beograd e mbajnë gjallë idenë dhe dëshirën serbe për afri me Moskën dhe për ushtrim të hegjemonisë në Ballkan. Kjo është arsyeja që Serbia e luan rolin e përhershëm të satelitit rus në Ballkan. Nga ky synim gjatë historisë më së keqi e kanë pësuar shqiptarët. Por, këto synime Serbia nuk i ka flakur. Ato shihen haptas dhe janë politikë zyrtare e Beogradit. Europa gjatë historisë, madje edhe sot, shpesh i ka mbyllur sytë ndaj tendencave dhe veprimeve serbe siç i ka mbyllur ndaj Rusisë.

Heshtja e Perëndimit ndaj tendencave ruse është arsye që e ka “mashtruar” Putinin deri në këtë masë. Kur Putini e aneksoi Krimenë dhe e destabilizoi një pjesë të konsiderueshme të pjesës lindore të Ukrainës, Perëndimi u tregua aq neglizhent, saqë nuk qe në gjendje të zbatojë as sanksione efikase. SHBA-të dhe Britania e Madhe kanë qenë garantuese të sovranitetit të Ukrainës, por nuk ndërmorën ndonjë masë serioze që ta dënonin apo parandalonin politikën ekspansioniste ruse. Kjo e trimëroi Putinin dhe vetëm kur filloi invazioni i plotë në Ukrainë, Europa dhe bota u ngjall.

Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në shesh shumë probleme që Europa dhe SHBA-të duhet t’i zgjidhin. Kjo është për shkak se Ukraina paraqet vendtakimin e interesave të Perëndimit me Rusinë, që dikur ishte Europë Lindore dhe brenda sferës sovjetike. Gjasat që Rusia ta okupojë në tërësi Ukrainën dhe të vendosë qeveri të saj, duke e kthyer vendin në zonën ruse, janë pothuaj inekzistente. Kurdo që kjo luftë të përfundojë me fitore të Ukrainës, ky vend duhet të anëtarësohet në NATO. Kjo duhet të jetë masë që e siguron të ardhmen e Ukrainës, por edhe ndëshkim për politikën ekspansioniste ruse të prirë nga Putini. Tani më dihet se Perëndimit i duhet ta rishikojë strategjinë ndaj Rusisë dhe në të ardhmen e afërt të gjejë zgjidhje të përhershme ose, së paku, një zgjidhje afatgjate në lidhje me kërcënimin e përhershëm rus.

Çfarëdo që të jetë rezultati i luftës në Ukrainë, rrethanat e krijuara na shtyjnë të shpresojmë se Europa dhe SHBA-të do ta shohin afrimin e mëtejmë të Kosovës në gjirin e tyre si masë të domosdoshme. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ndikonte në sigurimin e ardhmërisë së këtij vendi dhe njëkohësisht do ta detyronte Serbinë që të heqë dorë nga tendencat territoriale dhe nga destabilizimi i rajonit. Fitorja e Ukrainës paraqet edhe dobësimine influencës ruse dhe ky fakt do të ndikojë në këndelljen e Serbisë, e cila së paku do të vetëdijesohet duke e parë se ndihma e Moskës për luftë nuk e arrin dot.

Megjithatë, ne nuk duhet të habitemi nëse edhe pas humbjes së Rusisë, Europa dhe SHBA-të vazhdojnë me avazin e vjetër – politikë të favorshme ndaj Serbisë. Kjo gjë mund të ndodhë për shkak se ka gjasa që Serbia në këto kushte, pra pa përkrahjen ruse, të konsiderohet e parrezikshme për Ballkanin. Megjithatë, edhe në këto rrethana, Serbia do të mbetet mjaft e fuqishme për destabilizimin e fqinjëve të saj. Nga kjo do të shihej se Europa dhe SHBA-të nuk kanë mësuar asgjë nga historia kur është fjala për Serbinë. Duhet shpresuar se edhe faktori politik shqiptar duhet të angazhohet më shumë se zakonisht, në mënyrë që botës t’ia bëjë me dije ekzistimin e mundësive të gabuara, që mund të aplikohen ndaj Serbisë.

Sidoqoftë, derisa lufta në Ukrainë vazhdon, Europa dhe SHBA-të nuk do të kenë mundësi të vazhdojnë me planet e tyre për rregullimin e Ballkanit, duke e zgjidhur problemin e Kosovës me Serbinë. Problemi është vendosur në dhomën e pritjes, por shpresat për zgjidhjen e tij kësaj radhe janë më të mëdha se herëve tjera. /shenja

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *

Lexo lajme interesante

You may also like