“Dua të luaj, Europiani është para”, portieri shqiptar: S’do të kisha ardhur kurrë këtu…

by admin
Spread the love

Me Europianin në fokus për verën e  ardhshme, ka dhe nga ata futbollistë të Kombëtares që kërkojnë rrugëdaljen te merkatoja e janarit për të shkuar në Gjermani në mënyrën më të mirë të mundshme.

Është ky rasti i Thomas Strakoshës. Vetëm 2 paraqitje në kampionat për një total prej 134 minutash te Brentfordi, janë vërtet shumë pak për një futbollist të staturës së tij. I vetëdijshëm për këtë, “gardianit” kuqezi me një të kaluar për t’u respektuar në Serie A me Lazion, duket se i ka sosur durimi.

Nëpërmjet një deklarate të transmetuar nga mediat angleze kërcënon në një farë mënyrë Brentfordin, duke i bërë të ditur publikisht klubit se kërkon një zgjidhje për këtë situatë.

Sinqerisht, unë kam nevojë të luaj. Duhet të gjej një zgjidhje me klubin. E di shumë mirë se çfarë meritoj dhe çfarë kam bërë në karrierën time. E di se kush jam, kështu që duhet gjetur një zgjidhje pasi dua të luaj.

Europiani është përpara dhe duhet gjetur një zgjidhje më e mirë. Nuk do të kisha ardhur kurrë këtu nëse do ta dija se do të qëndroja në stol. Nuk e kam bërë kurrë këtë në jetën time dhe nuk do ta bëj tani.

Vitin e kaluar vuajta një dëmtim, por këtë sezon prisja diçka më tepër. Tani thjesht dua të bëj mirë, të gjej një zgjidhje“, ka deklaruar Strakosha. Fjalë të thëna qartë me futbollistin shqiptar që i ka dhënë publikisht një sinjal klubit të Premier League.

Ndërkohë, në media të tjera europiane, Strakosha është përmendur se ka përfunduar në radarët e Bayern Munich që kërkon të plotësojë ekipin e portierëve ku janë tanimë Neuer dhe Sven Ulreich.

Por roli i portierit të tretë vështirë se mund të pranohet nga Strakosha, i cili e ka të qartë se i duhet një vazhdim sezoni prej protagonisti për tu paraqitur si duhet në takimin e Shqipërisë me Europianin.


Top Channel

You may also like