Dominon Tirana, shpërdoron Junior! Nuk ka fitues në derbin e kryeqytetit

by admin
Spread the love

Derbi i 165-të i kryeqytetit ka ritëm, tension dhe tifozë, por nuk ka gola. Tirana dhe Partizani ndahen në paqe në “Air Albania” në sfidën që hapi javën e 24-t të kampionatit. Bardheblutë kanë luajtur më mirë dhe kanë krijuar më shumë, por rastin më të pastër e ka patur Partizani, me Stenio Junior, që nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë.

Të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë, një rezultat që i shkon më shumë për shtat Tiranës, që ruan vendin e parë në renditje (e shkëputur nga rivalët), ndërsa Partizani duhet të luftojë akoma që të sigurojë një vend në Europë.

Nis me ritëm derbi i kryeqytetit dhe është Tirana që jep sinjalin e parë me Xhixhën, që provon nga larg, por pa vënë në vështirësi portierin Hoxha. Bardheblutë luajnë më mirë dhe dominojnë sfidën. Xhixha është më aktivi i vendasve dhe provon të shënojë, por Bitri i mohon golin sulmuesit bardheblu.

Tirana luan më mirë, por edhe Partizani zbret rrezikshëm dhe i afrohet golit me Bitrin, që gjuan jashtë me kokë. Në fund të pjesës së parë ka një episod shumë të diskutueshëm. Xhixha rrëzohet në zonë, por për VAR-in nuk ka penallti.

Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtën tablo. Tirana dominon dhe shfaqet rrezikshëm me të zakonshmin Xhixha, që nuk arrin të zhbllokojë ndeshjen. Partizani fillon të shohë përpara dhe provon me Malën, por Bekaj është vigjilent dhe nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë.

Stenio Junior humbet rastin më të pastër të skuadrës së tij, pasi me portën e boshatisur nuk arrin që të shtyjë topin në rrjetë. Tirana reagon me Limaj, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.

Skuadrat kanë frikë nga humbja dhe nuk hidhen në aventurë në minutat e mbetura. Mbyllet në barazim pa gola derbi i kryeqytetit, që hapi javën e 24-t të kampionatit shqiptar. / Oversport.tv

Shqipëri-Kategoria Superiore / Java e 24-t

Tirana-Partizani 0-0

You may also like