Dokumenti sekret: Si depërtoi agjentura ruse në Shqipëri dhe në vendet e tjera të NATO-s

by admin
Spread the love

A ka Rusia në Shqipëri “agjentë një përdorimësh”: Aktivizohen në një mision dhe më pas largohen pa i kushtuar vëmendje fatit të tyre…

Vdekja misterioze gjatë kohës së pandemisë së një familje ushtarakësh rusë në Durrës, hyrja e blogerëve brenda uzinës së eksplozivëve të Gramshit, nuk janë gjë para një informacioni që sapo ka mbërritur në të gjitha vendet e NATO-s, prej shërbimeve sekrete Perëndimore.
Materiali Top Sekret, është super i detajuar për çdo vend, dhe ka hartën e shpërndarjes së operativëve të GRU dhe brigadës famëkeqe të vrasjeve 29155.
Ata janë “agjentë një përdorimësh”: Aktivizohen në një mision dhe më pas i largohen pa i kushtuar vëmendje fatit të tyre. Përkufizimi, i referohet disa elementeve të rekrutuar nga Moska për të kryer operacione në vendet e NATO-s.
Para pushtimit të Ukrainës, rusët depërtuan shumë ilegalë, njerëz – ndonjëherë burrë e grua- me një të kaluar të ndërtuar me kujdes që pretendonin të ishin amerikano-jugorë, grekë ose nga Evropa Lindore. Me këto koopertura hapën biznese legale (një çift kishte një hotel në Greqi, një grua drejtonte një dyqan trikotazhesh, një tjetër një dyqan arti), ata u regjistruan në universitete dhe arritën të krijonin rrjetin e tyre të marrëdhënieve. Në Shqipëri, para disa vitesh, rusë me shtetësi ukrainase erdhën dhe hapën biznese, kryesisht firma tregtare, por edhe shërbime fizioterapie.
Sipas materialit, (‘Pamfleti’ ka siguruar pjesë nga përmbajtja e tij), në këtë mënyrë kanë lëvizur “profesionistët” e Njësisë 29155, të përfshirë në aktivitete në Perëndim, nga çështja Skripal (sulmi i Novichok) deri te shpërthimet në depot e armëve në Republikën Çeke. Shumë janë zbuluar.
Në Norvegji, Suedi, Slloveni, spiunët përfunduan në pranga ndërsa kushedi sa të tjerë mbeten të fshehur, të padukshëm për radarin e policisë.
Shërbimi sekret austriak, mësohet se ka zbuluar detaje të planit rus, e më pas ka sinjalizuar shërbimin sekret ushtarak të NATO-s, i cili ka mbledhur copat në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare.
Nga hetimi i bujshëm në Austri ku përfshiheshin personalitete, zyrtarë dhe biznesmenë. Ngjarja ka qenë edhe më e rëndë pasi ka ndodhur para syve të të gjithëve.
Menjëherë me shpërthimin e luftës së Ukrainës, profili i rezidentëve të GRU ruse ndryshoi. Jo më njerëz me ndikim, por persona të panjohur, që kishin lehtësi për të lëvizur në territor.
Detyra e tyre ka qenë të sigurojnë informacion sa më të hollësishëm për dërgimin e armëve dhe municioneve për Ukrainën. Për shembull për Shqipërinë, Moska e ka ditur që përpara se të mbërrinin predhat e artilerisë nga ministria jonë e Mbrojtjes.
Ndërkaq, materiali thekson se në këtë rrjet janë rekrutuar edhe vrasës me pagesë, që të ishin të gatshëm për të kryer atentate të rëndësishme me qëllim destabilizimi.
Një vrasës me pagesë eliminoi menjëherë pilotin rus në Spanjë, i cili kishte dezertuar me helikopterin e tij ushtarak në këmbim të një shpërblimi.
Krimi, zyrtarisht mbetet, pa fajtorë, po shërbimi sekret i NATO-s thekson se është kryer nga një kriminel i zakonshëm i paguar në të zezë, dhe paratë kanë mbërritur nëpër rrugët e autostradave të nëntokës së narkotrafikut.
Materiali i shërbimit sekret të NATO-s, thekson për shtetet anëtare se një bashkëpunim intensiv midis qeverive është i nevojshëm për të përgjuar figura pak të njohura, të cilët megjithatë janë në gjendje të shkaktojnë dëme. Pas këtij alarmi kanë ndodhur disa arrestime, në Poloni – prapavija kryesore logjistike për Ukrainën – dhe në Gjermani, ku policia arrestoi një ukrainas, një rus, një armen (megjithatë kombësia e tyre nuk është e sigurt) që po përgatisnin “diçka” me një ukrainase. Viktima ishte fiksuar në një mënyrë jo shumë të zgjuar nga një njeri i cili u paraqit si emisar i inteligjencës së Kievit.
Ekspertët analistë të inteligjencës së NATO-s, theksojnë në material se Rusia nuk është e shqetësuar apo alarmuar nga zbulimi i mjaft rezidentëve.
Sipas tyre (analistëve), për disa arsye.
Së pari: Kremlini e konsideron veten në luftë totale dhe për këtë arsye buxheton për një kosto.
Së dyti: në disa raste ata janë mercenarë që nuk zotërojnë informacione sensitive dhe çdo kapje nuk cenon rrjetin. Së treti: spiunët e çmuar ndoshta mund të rikthehen me një shkëmbim (prandaj marrja e pengjeve, si gazetari i Wall Street Journal i mbyllur në një burg rus justifikon qëllimin).
Së katërti: vlera e një agjenti vendoset përpara rezultatit përfundimtar, aq më tepër në një sezon konflikti. Por sa kanë vepruar deri më sot agjentët rus në Shqipëri.
Kremlini ka marrë që në fillim informacione se Shqipëria mund të zgjidhet si një vend i mundshëm i prodhimit të municioneve për ushtrinë ukrainase. Atëherë, kur realisht nuk ishte vendosur asgjë nga NATO.
Pasi ishte planifikuar se vendet e Perëndimit nuk do të kishin aq municion sa të furnizonin Zelenskyn për 5 vite luftë. Vladimir Putini e dinte mirë natyrën harpagoniane të Perëndimit, që nuk do t’i boshatiste magazinat qendrore, por vetëm ato të tepricës së fundit.
Në shkurt të vitit 2022, njeriu më i afërt i Vladimir Putinit, Nikolai Patrushev, i cili është edhe supershefi i shërbimeve sekrete ruse, vizitoi Ballkanin.
Dy kanë qenë objektivat e vizitës së Patrushev në Banja Luka dhe Beograd: mbledhja e rekrutëve për të luftuar kundër ukrainasve në zonën e Donbasit, si dhe nisja e një operacioni spiunazhi dhe destruksioni në vendet properëndimore të Ballkanit. Ndërsa në Mal të Zi nisi lëvizjet për të larguar nga pushteti Dritan Abazoviç, i cili bëri një veprim spektakolar, ndaloi ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov të shkojë në Beograd, e më pas destabilizimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë.
Pak muaj pas vizitës së Patrushev në Ballkan, në Shqipëri ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, që kanë në qendër spinazhin rus. Një kolonel i ushtrisë ruse, Sergei Burenkov, humbi jetën në mënyrë të dyshimtë së bashku me familjen e tij në tetorin e vitit 2021, në një hotel në Golem të Durrësit.
Vdekja ndodhi në SPA-në e një hoteli në Golem, ku Natalia Burenkova, 58 vjeç, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre Nikita Belousov, 37 vjeç dhe vajza Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe, vdiqën për 5 minuta. Asnjëherë nuk doli një hetim zyrtar për motivet e vdekjes së familjes Burenkov, edhe pse ambasada ruse, zyrtarisht e kërkoi, ndërkohë që sërish gjërat u mbajtën mister. Ndërkaq, disa muaj pas ardhjes së kryespiunit rus, në Shqipëri, pati disa incidente në ish-sitet e vjetra të ushtrisë shqiptare, përkatësisht industrisë së prodhimit të armatimit.
Në Gramsh, Poliçan, Kuçovë, por edhe në ish-ofiçinën e riparimit të avionëve po në bazën e Kuçovës. E cila është thuajse 40 përqind e bunkerizuar.
E ja ku jemi sot, që jo vetëm Baza e Kuçovës u hap, por edhe po bëhet gati riaktivizimi i prodhimit të municioneve për Ukrainën.
Këtu ka dy mistere, e para ku e mori vesh Kremlini informacionin që do të riaktivizohej kjo industri? Nga vendet e tjera të NATO-s, apo nga Shqipëria?
Cili është roli i shërbimit sekret shqiptar, dhe i kundërzbulimit të tij?
Në gushtin e vitit 2022, tre shtetas rus u arrestuan në bazën e Gramshit, ndërkohë që po fotografonin pa leje dhe pa njoftim. Madje një nga rusët, sulmoi me spry edhe rojen ushtarake. Të tre u arrestuan, dhe sot gjërat janë krejt ndryshe. Njeriu kryesor i asaj celule, Svetlana Timofeeva, e ashtuquajtura Lana Sator, u arrestua dhe më pas u lirua. Sot është një nga personat më të kërkuar të Moskës, por që ende nuk dihet përse ajo nuk ikën dhe pse kërkohet.
Vetë Timofeeva thekson se është një kundërshtare e Putinit dhe e luftës në Ukrainë dhe nuk do të shkojë në Rusi. Ky akt është një ngjarje e rëndë e Shqipërisë nëse nuk zbaton një vendim gjykate ruse.
Po përse Moska nuk bën zë?
Çfarë fsheh grupi i kapur në Gramsh?
Të gjithë këto janë pa përgjigje, po gjithsesi në tërë këtë mishmash të panjohurash, rëndon më shumë misteri dhe zhurmat për ekzistencën në Shqipëri të brigatës së tmerrshme të shërbimit sekret ‘GRU’ që nuk ka emër, por vetëm një numër: 29115. Është skuadra që ka vrarë spiunin më të rëndësishëm të ‘GRU’ që ju dorëzua Perëndimit Sergej Skripal, vrarë në Britaninë e Madhe vetëm disa vite më pas. Është brigada që shpërtheu baza e depo municionesh në Çeki, Lituani, Sllovaki, Bullgari e vende të tjera të NATO-s. Kjo brigadë arriti të trazojë Malin e Zi në vitin 2016, duke qenë afër rrëzimit të qeverisë properëndimore të Podgoricës, apo mazhorancës pro-NATO të Maqedonisë së Veriut.
Deri më sot, shërbimet perëndimore kanë arritur të rrëzojnë operacionet e ‘GRU’ ruse, por jo gjithmonë. Pasi në Shqipëri, rusët nuk kanë dalë asnjëherë hapur, kanë vepruar gjithmonë nëntokë, për të çarë mbrojtjen dhe objektivat e NATO-s. Rreziqet e të cilave ekzistojnë ende, madje mësohet se ekziston rreziku se nëse këtu prodhohen armë për Ukrainën, mund të provokohen kataklizma…/Pamfleti

You may also like