Dogana tejkalon parashikimet e Qeverisë, do t’i sigurojë buxhetit mbi 1.2 miliard €

by admin
Spread the love

Performanca e mirë e Doganës së Kosovës dhe të hyrat rekorde për këtë vit, do t’i sigurojnë buxhetit të shtetit mbi 1 miliard e 248 milionë euro, aq sa është paraparë projeksioni i Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Aktualisht të hyrat
nga Dogana kapin shifrën e 1 miliard 164 milionë euro, që nevojiten edhe 90
milionë euro që të arrihet kjo shumë, ndonëse kanë mbetur edhe 1 muaj e gjysmë
deri në përfundim të këtij viti.

Marrë parasysh që
të hyrat mujore arrijnë deri në 85 milionë euro, zëdhënësi i Doganës së
Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Ekonomia Online se projeksioni i
paraparë nga Qeveria do të tejkalohet për 40-50 milionë euro.

“Projeksioni i
paraparë nga Qeveria ka qenë 1 miliard e 248 milionë euro, derisa për momentin
që po flasim jemi te 1 miliard 164 milionë euro, na nevojiten edhe 90 milionë
euro që të arrihet kjo shumë, e ku dihet që muaji i doganës grumbullon rreth
85-90 milionë brenda një muaji dhe mund të themi se në bazë të këtij trendi
aktual, të arrijmë t’i tejkalojmë projeksionet buxhetore për 40-50 milionë
euro, gjithmonë në bazë të trendëve aktuale. Pra presim që të kemi një rritje
apo tejkalim të projeksioneve buxhetore”, u shpreh Stavileci.

Vitin 2021,
Stavileci e quan vit më të mirë në këto 20 vite funksionim. Krahasuar me dy vitet
paraprake, të hyrat në këtë vit janë rritur për 154 milionë.

“Mund të them
se vitit 2021, performanca e Doganës ka qenë ndoshta më e mira në këto 20 vitet
të Doganës. Ne për momentin që po flasim kemi arritur një shifër rekord të të
hyrave, ku për momentin jemi 1 miliard 164 milionë euro, që në krahasim me
vitin e kaluar paraqet rritje prej 280 milionë euro apo 33 për qind më shumë se
vitin e kaluar”.

“Por e dimë që
2020-ta ka qenë vit pandemik ku ekonomia kosovare dhe botërore ka pasur
vështirësi të mëdha, por edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019, jemi prapë në
suaza të rritjes, ku në 2019-ën në të njëjtën periudhë kemi pasur 975 milionë,
ku rritja 2021-2019, është 154 milionë euro. Në përgjithësi performanca të
hyrat gjatë këtij viti janë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Si faktor kryesor
të rritjes së të hyrave për këtë vit, Stavileci e sheh luftimin e kontrabandës.
Ndërkaq bllokada dy javësh në pikat kufitare me Serbinë, s’kanë qenë fort
problem për këtë institucion, pasi sipas tij trafiku komercial ka devijuar në
pikat tjera kufitare.

“Në
përgjithësi faktorët janë të ndryshëm duke filluar nga performanca e ekonomisë
së përgjithshme në Kosovë, se ne nuk mund të mbledhim të hyra nëse nuk
performon ekonomia mirë. Mandej ka pasur faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në
mënyrë direkte dhe disa tjerë në mënyrë indirekte. Në mënyrë direkte ka qenë
lufta e pakompromis e doganës në aspektin e luftimit të kontrabandës”.

“Nuk mund të them se ka pasur ndikim të madh, për arsye se trafiku komercial vetëm ka devijuar. Trafiku komercial ka devijuar nga Merdara dhe Dheu i Bardhë, kështu që nuk mund të themi se kemi vërejtur ndonjë efekt. Edhe të hyrat tregojnë se gjatë atyre ditëve ka vazhduar tregtia në formën e vet normale”, ka thënë Stavileci për EO.

You may also like