“Djegin kartëmonedhat 20 euro”, plagosja e 16-vjeçarit nga polici, protesta të dhunshme në Greqi

by admin
Spread the love

Duke mbajtur në duar kartëmonedha 20 euro dhe duke i djegur ato në mënyrë simbolike rreth 200 protestues nga komuniteti rom protestojnë para gjykatës së Selanikut duke thirrur: Nuk ishte benzina, nuk ishin paratë, polici qëlloi atë që ndiqte, se ishte rom!

Brenda ndërtesës sapo është sjellë nën masa të ashpra oficeri i policisë i cili pak ditë më parë ka qëlluar me pistoletë gjatë ndjekjes një 16- vjeçar rom që ka blerë benzinë në një pikë karburanti dhe nuk ka paguar 20 euro, duke e plagosur rëndë.

“Ka shumë incidente që ndodhin kur policia qëllon ndaj romëve për shkak të ngjyrës së tyre. Ka racizëm të madh në Greqi. Racizmi nuk ikën. Ai ekziston”, tha Panagiotis Sabanis, kryetar i Federatës Rome të Maqedonisë Qendrore dhe Perëndimore.

Pjesëtarët e komunitetit rom kërkojnë drejtësi, ndërsa hedhën parulla kur mësuan se prokurori dhe hetuesi nuk ranë dakord për masën ndaj oficerit të policisë që akuzohet për tentativë vrasje me dashje, ndërsa avokati i tij thekson se ai ka vepruar për vetëmbrojtje.

“Çështja është se çfarë mesazhi po i dërgojmë shoqërisë dhe çfarë policie duam. A do të qëllojë policia dhe do të vrasë njerëz për sjellje të vogla delikuente dhe do të lirohen ata që qëllojnë? Apo duhet të jemi të drejtë dhe të kemi ligje që vlejnë për të gjithë?”, Vassilis Pantsios, president i konfederatës së romëve grekë.

“Qëllova nga një distancë prej 10 metrash”, ka thënë oficeri i policisë, por rruga ka pasur gropa dhe nga tronditja e motorit  plumbi ka shkuar lart.

Një video nga kamerat e sigurisë në rrugë tregon manovrimet që ka bërë 16 vjeçari me makinën e tij për ti’ shpëtuar ndjekjes së policisë.

Ndërkohë në Athinë dhe Selanik në tre zona ku jetojnë romët për të katërtën ditë rresht vazhdojnë konfrontimet e dhunshme mes romëve dhe forcave të policisë në shenjë proteste për plagosjen e 16 vjeçarit, që ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Në zonat e kryeqytetit protestuesit kanë ngritur barrikada dhe i kanë vënë zjarrin koshave të plehrave, kurse në Selanik pasditen e së premtes në operacionet që po zhvillon policia në lagjet e romëve janë dëgjuar edhe të shtëna armësh dhe situata është tepër e tensionuar.


Top Channel

You may also like