Dimri s’ka mbaruar ende, ç’po bën Evropa? – Shqip

by admin
Spread the love

Deri më tani, Evropa po përballet mirë me krizën energjetike që pasoi pushtimin rus në Ukrainë, por bizneset dhe familjet tashmë po mendojnë se si do të mbijetojnë dimrin e ardhshëm, shkruan AFP.

Një dimër i ngrohtë, ndihma qeveritare, depozitimi i plotë i gazit dhe importet e energjisë nga rajone të tjera, ndihmuan Evropën të kufizonte dëmin ekonomik të shkaktuar nga lufta.

Fabrika e pijeve Veltins pranë qytetit industrial gjerman të Dortmundit është përshtatur me situatën duke përdorur shishe të ripërdorshme, duke i kthyer pjesërisht furrat e gazit në furra nafte dhe duke shpenzuar 30 milionë euro për rezervat e lëndëve të para.

“Ne nuk duhej të shkurtonim prodhimin,” i tha AFP zëdhënësi i Veltins, Ulrich Biene.

Gjermania, e cila mbështetej shumë në importet e gazit rus para luftës, ka ofruar ndihmë masive nga qeveria për konsumatorët, ka mbushur objektet e depozitimit të gazit dhe ka gjetur burime të reja energjie që kur Moska mbylli rubinetin.

Qeveria njoftoi javën e kaluar se priste që ekonomia gjermane të shmangte recesionin këtë vit, megjithëse të dhënat e publikuara të hënën treguan tkurrje në tre muajt e fundit të 2022.

Për të rritur furnizimet për dimër, Gjermania dhe fqinjët e saj evropianë kanë blerë LNG nga Katari dhe SHBA, i cili është më i shtrenjtë se gazi rus që vjen përmes tubacioneve.

Importet e LNG në Evropë u rritën me 60 për qind në 2022 krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave nga Instituti për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA).

Si rezultat, “skenari më i keq i parashikuar për 2022/2023 nuk ka ndodhur,” tha Fabian Skarboe Ronningen, analist i lartë i tregut të energjisë në Rystad Energy.

Rritja e kërkesës për gaz natyror

Deponimet evropiane të gazit janë aktualisht plot 72 për qind, dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke qenë se temperaturat këtë dimër janë më të buta se zakonisht, konsumatorët evropianë e ndezën ngrohjen më vonë, kështu që rezervat e gazit janë ende të larta dhe faturat e ngrohjes janë nën kontroll.

Kërkesa për gaz natyror ra 12 për qind pas pushtimit rus në shkurt në krahasim me mesataren 2019-2021, sipas të dhënave nga qendra analitike Bruegel në Bruksel.

“Unë mendoj se është absolutisht e jashtëzakonshme,” tha shkencëtari Simone Tagliapietra.

Furnizimi u ndihmua gjithashtu nga rifillimi gradual i disa reaktorëve bërthamorë francezë.

Pas pushtimit rus, çmimet evropiane të energjisë arritën nivele rekord, duke tejkaluar 300 euro për MWh në gusht, përpara se të bien ndërsa qeveritë iu drejtuan ndërtimit të furnizimeve më të mëdha.

Por kjo rënie ende nuk është ndjerë nga faturat e familjeve, pasi shitësit me shumicë blejnë muaj më parë dhe konsumatorët duhet të paguajnë për rritjen e inflacionit.

“Edhe muajin tjetër do të jetë i vështirë për t’u mbuluar,” tha Dora Jesus, një 42-vjeçare londineze në ndihmë sociale, fatura e së cilës është rritur nga 82 paund në më shumë se 100 paund.

Gara për gazin

Disa analistë besojnë se do të duhet të presim vite që çmimet të kthehen në nivele normale.

“Të gjithë sytë janë tashmë te dimri i 2023/2024”, tha Ronningen, duke theksuar se ata nuk do të mund të llogarisin në furnizimet nga Rusia.

“Evropa do të mbështetet gjithnjë e më shumë në LNG në vitin 2023, sepse do të jetë viti i parë i plotë me shumë pak gaz nga Rusia,” tha ai.

Dhe nëse kërkesa aziatike rimëkëmbet, “konkurrenca midis Evropës dhe Azisë për LNG do të jetë edhe më e madhe, gjë që mund të rezultojë në çmime më të larta se tani”.

Tagliapietra beson se “Evropa është në një pozicion më të mirë krahasuar me vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar arriti të gjejë një bilanc të ri energjetik pas tronditjes së shkaktuar nga ndërprerja e furnizimeve ruse”.

Ai tha se kërkesa duhet të mbahet nën kontroll për aq kohë sa të jetë e mundur derisa më shumë burime të rinovueshme të futen në sistem.

“Unë mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që vendet evropiane të koordinohen në mbushjen e magazinave sepse ne duhet të shmangim garën për gazin që pamë këtë verë,” tha ai.

 “Sa më shumë të koordinohemi, aq më shumë para do të jemi në gjendje të kursejmë.” /tesheshi.com/

You may also like