Dhuna me bazë gjinore bën bashkë vajzat kuqezi me Ambasadoret: Ju jeni modeli i duhur për shoqërinë shqiptare!

by admin
Spread the love

Federata Shqiptare e Futbollit iu bashkua edhe këtë vit fushatës ndërgjegjësuese të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, që ka nisur prej 25 nëntorit dhe do të zgjasë deri më 10 dhjetor.

Institucioni i futbollit në Shqipëri në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, organizuan një takim të përbashkët ku disa prej vajzave të ekipit kombëtar dhe një përfaqësi e Federatës Shqiptare të Futbollit u takuan me disa nga Ambasadoret e vendeve të ndryshme në vendin tonë, kryesuar nga Ambasadorja e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, znj. Fiona Mccluney dhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim.

Ambasadoret dhanë mesazhin e fortë se dhuna ndaj grave nuk justifikohet dhe duhet të shmanget e eliminohet, ndërsa nënvizuan se vajzat kuqezi janë modeli i duhur për shoqërinë shqiptare. Kjo fushatë është mbështetur çdo vit nga Federata Shqiptare e Futbollit, që është treguar gjithmonë e gatshme për të përkrahur nisma të tilla. Duke përdorur futbollin si mjet komunikimi, ndërgjegjësimi për të mbështetur gratë e dhunuara prek jo vetëm tifozët në stadiume, por edhe ata që ndjekin futboll përmes kanaleve të ndryshme.

Gjithashtu, lojtaret e ekipit kombëtar i njohën Ambasadoret edhe me arritjet e tyre në futboll, jo vetëm në aspektin personal, por edhe në atë kombëtar, ndërsa treguan gatishmërinë e tyre për të përçuar mesazhin ndërgjegjësues kundër dhunës, trafikimit dhe mbrojtjes së viktimave të dhunës me bazë gjinore në Shqipëri.

You may also like