​Dhuna dhe abuzimet të pranishme në sportin kosovar

by admin
Spread the love

Ashtu sikur në të gjithë botën, edhe në sportin kosovar nuk mungojnë rastet e dhunës dhe abuzimeve në sport, qofshin ato psiqike, fizike apo edhe seksuale.

Edhe pse mungon denoncimi publik i tyre, nga federatat dhe Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK) thonë se këto dukuri negative po e mundojnë sportin vendor.

Për parandalimin e tyre, KOK-u ka filluar një fushatë vetëdijesimi për federatat, kur ndër të tjera do të kërkohet që secila federatë ta angazhojë një zyrtar për integritet i cili, sipas zyrtares ligjore në KOK, Blerina Imerit, do të shërbejë si adresë për shqetësimet e sportistëve.

“Roli i tij është paraprakisht fillimi i procedurave të para brenda një organizate për mbrojtjen e sportit përkatës…Bisedojnë drejtpërdrejt me klubet, me sportistët, mbledhin informata, janë organ ku sportistët kanë të drejtë të drejtohen në mënyrë konfidenciale për një rast eventual i cili mund të ndodhë i çfarëdo dukurie negative në kuadër të një sporti. Ky do të jetë pikërisht roli i këtij zyrtari për integritet”, tha Imeri.

Që ka raste abuzive në sport e pranon edhe sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku. Ajo thotë për KP se nuk duhet fshehur faktin që edhe sporti kosovar vuan nga kjo dukuri.

“Ngacmimet, manipulimet, të gjitha këto janë dukuri që ndodhin në të gjithë botën kështu që ne nuk kemi nevojë ta fshehim që nuk kemi edhe në Kosovë. Fakti që po organizojmë seminar të tillë ose të parandalohet ose të ndalohet nëse veç ka filluar të ndodhë”, theksoi Dushku.

Si arsye për mos bërjen publike të rasteve të dhunës në sport, Imeri thotë se është frika nga linçimi publik që mund të iu bëhet personave të përfshirë në raste të tilla.

“Raste konkrete nuk kemi. E kemi një rast që është publikuar disa vite më herët e që në çështje të tilla përfshihen edhe organet e drejtësisë dhe ky është plani ynë afatgjatë që në ta ardhmen ne të bashkëpunojmë edhe me prokurorinë e shtetit të cilët edhe do të përkujdesen për hulumtimin e rasteve të tilla”, tha ajo.

Ndryshe, zyrtarin për integritet deri më tani e kanë të angazhuar vetëm Federata e Futbollit të Kosovës dhe Federata e Basketbollit.

Tags: Blerina Imeridhunasporti kosovar

You may also like