Derbi i Tiranës “mbetet në ajër”/ Partizani mes dilemës për të luajtur në “shtëpi” apo në “Air Albania”

by admin
Spread the love

Derbi i kryeqytetit edhe pse ka një javë kohë deri në ditën e zhvillimit, pasi është përcaktuar të hënën e ardhshme në orën 19:00, ka ndezur diskutimet që tani, dhe pjesa kryesore lidhet me vendin e zhvillimit të ndeshjes më të madhe të futbollit shqiptarë.

Partizani prej muajsh tashmë ka nisur të zhvillojë ndeshjet e tij në kompleksin më të ri sportiv që ka ndërtuar në kryeqytet, ndonëse jo i finalizuar i gjithë projekti 100% megjithatë gjithçka është certifikuar sa i përket zhvillimit të ndeshjeve të Superiores atje pasi Partizani ka zhvilluar disa prej tyre.

Si skuadra pritëse Partizani ka të drejtën e tij të vendosë se ku do të luhet ndeshja, në shtëpinë e tij në këtë impiant  fantastik , ku sigurisht nën trysnin e tifozerisë së saj mund të ndihet më komod për t’u ndeshur me bardheblutë, në një fazë të kampionatit ku i ndajnë vetëm tre pikë njëra me tjetrën.

Me një kapacitet prej rreth 4000 vendesh kompleksi Partizani, drejtuesit e klubit të kuq i kanë rezervuar tifozerisë së Tiranës rreth 200 bileta. Megjithatë për nga rëndësia e të dyja klubeve, historiku i përballjeve dhe atë cka kanë dhuruar tifozët në tribuna me praninë e tyre, që kanë qenë disa herë më shumë se kjo shifër, gjithmonë është preferuar arena kombëtare “Air Albania” për t’i dhënë mundësinë shumë më shumë njerëzve që ta ndjekin ndeshjen më të madhe të futbollit tonë.

Gjithashtu herë pas here edhe tensionet e ndezur në tribuna kanë sjellë problematika me sigurinë, cka në kompleksin e ri mbetet ende për t’u testuar për një ndeshje kaq të rëndësishme, por ky është një vendim që e konsulton edhe policia e shtetit.

Një tjetër arsye që vë në diskutim zhvillimin e ndeshjes janë paratë. Secilit klub kur ka qenë pritës, ka preferuar “Air Albanian” pasi përfitimet e tyre kanë arritur në shifra mesatare rreth 150 milion lekë për ndeshje, ç’ka është një përfitim i konsiderueshëm krahasuar me përfitimet e ndeshjeve të tjera që kanë një numër të vogël ndjekësish në stadium.

Drejtuesit e Partizanit kanë marrë edhe 24 orë kohë për të vendosur dhe për të zgjedhur mes të qenurit pragmatist, për të pritur Tiranën në “ferrin e kuq” me më shumë tifozë të tyre dhe shumë më pak të Tiranës në shtëpinë e tij, apo përfitimet financiare në një ndeshje të hapur për më shumë shikues dhe në një tjetër atmosferë sikurse rezervon gjithmonë derbi në “Air Albania”.

 


Top Channel

You may also like