Deputetja e PDK-së për përfshirjen e zv.ministres në skandal: Liza, ministria nuk është botë e çudirave

by admin
Spread the love

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu Shoshi ka reaguar pas raportimeve për keqpërdorime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet nga ministrja Donika Gërvalla.

Musliu Shoshi i është referuar përfshirjes së zëvendësministres Liza Gashi në skandalin e raportuar, e cila ishte drejtuese e organizatës që “GERMIN”, që tani ka marrëveshje me ministrinë ku është punësuar.

“Thellohet afera e keqpërdorimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në përfitimin e 1 milion e 40 mijë eurove që iu dhanë kundërligjshëm një organizate joqeveritare me miratimin e ministrave Fikrim Damka e Donika Gërvalla-Schëërz, po del se ka gisht edhe zv. ministrja Liza Gashi, pasi që në memorandimin e bashkëpunimit është përfshirë edhe organizata “GERMIN”, ka shkruar deputetja.

Musliu Shoshi ka thënë zëvendësministrja e as shërbyesit e saj nuk duhet të amnistohen nga organet e drejtësisë dhe ironikisht ka theksuar se “ministria nuk është botë e çudirave”.

“Liza përveç që ka qenë drejtuese e organizatës “GERMIN”, deri në ditën kur u emërua zëvendësministre, është zotuar se do ta mbështes këtë organizatë bashkë me “shërbyesit” e saj nga Ministria e Diasporës. E këta ‘shërbyes’ të zellshëm vazhdojnë të shpërblehen me pozita drejtuese në Ministrinë e Punëve të Jashtme, krejt në KUNDËRSHTIM me ligjet në fuqi. Projekti ka filluar të zbatohet e si pasojë e keqpërdorimit nuk do të amnistohet nga organet e drejtësisë as Liza as ‘shërbyesit’ e saj! Liza, ministria nuk është botë e çudirave”, ka shkruar në fund ajo.

Gazeta Demokracia kishte raportuar se zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi që dikur e udhëhoqi organizatën “GERMIN”, nuk po e harron organizatën në të cilën punoi e loboi shumë për agjendën politike të shefit të saj.

Sipas gazetës, në memorandumin e nënshkruar me Caritas-in zviceran, në bazë të së cilës buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro, figuron edhe organizata “GERMIN”, si organizatë partnere e MPJ-së, të cilën zotohet se do ta mbështesë.

You may also like