Deputeti i LVV-së për protestën e PSD-së: Këta nuk e kanë hallin e qytetarëve

by admin
Spread the love

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pas protestës së organizuar nga Partia Socialdemokrate kundër shtrenjtimit të energjisë, ku ka thënë se “po vuajnë që Albini është kryeministër e që sipas tij do të jetë edhe shumë gjatë”.

Dugolli gjithashtu theksoi se partitë opozitare si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë protestë, por që disa anëtarë të tyre ishin pjesëmarrës.

“Me pak fjalë, këta na kanë treguar edhe dje, e po na tregojnë edhe sot që nuk e kanë hallin e qytetarëve, nuk e ka as Berati i cili me aq zell e mbronte vendimin për shitjen (faljen) e distribucionit”, ka shkruar ai.

Tutje, deputeti i LVV-së u shpreh optimist se problemet e shumta do të zgjidhen.

“Unë besoj fuqishëm, ashtu siç vazhdojnë të besojnë qytetarët e vendit, se problemet e shumta të grumbulluara e të trashëguara (siç është edhe ky me energjinë), do zgjidhën sepse Kryeministri ynë dhe qeveria që ai udhëheqë, nuk ka agjendë dhe interes tjetër. Prioritet mbi prioritete është dhe do mbetet gjithmonë interesi i qytetarëve”, shkroi ai.

PSD-ja gjatë ditës së shtune ka mbajtur protestë para Qeverisë së Kosovës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ndërkaq, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë thënë se numri i protestuesve ishte rreth dy mijë e 500 deri në tre mijë persona.

Lexo lajme interesante

You may also like