Deputeti gjerman në Tiranë: Ballkan i Hapur është vetëm një element, në krye është procesi i Berlinit

by admin
Spread the love

“Nuk mund t’i them kategorikisht jo Ballkanit të Hapur, por në krye të këtij procesi është procesi i Berlinit”. Kështu u shpreh deputeti i Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviç në një konferencë për shtyp me gazetarët në Tiranë.

Zyrtari gjerman theksoi se ideja e “Ballkanit të Hapur” nuk është e keqe, por këmbënguli që të bëhet përpara me procesin e Berlinit dhe nisma e “Open Balkan” të shihet si një element.

“Ideja e mirë është që kancelari ka një interes të madh për Ballkanin Perëndimor. Ai është shprehur gjithmonë se është pjesë e familjes evropiane. Do të kemi këtë vit edhe një konferencë për procesin e Berlinit. Është një mesazh i qartë për të gjitha vendete Ballkanit Perëndimor që Gjermania do të ketë koordinim. Ideja e Ballkanit të Hapur nuk është e keqe, është ide e mirë. Por ende në krye të bashkëpunimit kemi procesin e Berlinit. Dhe Ballkani i Hapur duhet të jetë vetëm një element. Është mirë të flasësh për Ballkanin e Hapur, por këto ditë kancelari do të zhvillojë një takim me të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Nuk mund ti them kategorikisht jo Ballkanit të Hapur, por është vetëm një element, kreu i këtij procesi është procesi i Berlinit”, deklaroi Ahmetoviç.

Sa i takon procesit të integrimit, Ahmetoviç u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e meritojnë çeljen e negociatave. Ai zbuloi se sot do të zhvillojë takime në Maqedoninë e Veriut, në një ditë të rëndësishme, ku do të votohet në Kuvend propozimi francez për veton bullgare.

“Do të takohem me disa anëtarë të qeverisë së Veriut dhe parterë të partisë sonë simotër, asaj socialdemokrate. Mund ta nisja me elementë teknikë. Mund të nisnin negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Na duhet një Shqipëri dhe Maqedoni e fortë. Dje zhvilluam shumë takime. Partnerët tanë socialistë folën me ne për transformimin, për energjinë si ajo e erës apo diellore. Shqipëria ka një potencial të madh. Ne do të donim t’ju mbështesnim në këtë lloj mënyrë”, tha deputeti.

Gjithashtu, Ahmetoviç tha se Gjermania mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, duke theksuar se qytetarët e meritojnë lëvizjen e lirë.

“Pas kësaj konference do të doja vërtet t’ju kërkoja të shihnin llogarinë time të Instagramit dhe të dëgjonit fjalimin tim në Budenstag për Kosovën. Unë jam ndër anëtarët që mbështes Kosovën.

Kosova është vend i Evropës që ka një mbështetje më të madhe për BE dhe NATO në shoqërinë e tyre. Na duhet ta mbështesim këtë vend, ata e meritojnë liberalizimin e vizave. Ata e meritojnë të jenë anëtarë të Këshillit të Europës.

Ne e kemi thënë qartë që Kosova e meriton liberalizimin e vizave. Çdo vend ka të drejtë të udhëtojë në të gjithë be. Ne do të mbështesim Kosovën në procesin e saj për Këshillin e Europës, për statusin kandidat dhe vizat”, deklaroi deputeti i Bundestagut.

You may also like