Deputetët reagojnë pas përjashtimit nga PD, Paloka: PD-së nuk i duhet një kryetar dhe ca deputetë të mbyllur në një seli të blinduar

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Deputeti i PD Edi Paloka, ka reaguar pas pezullimit nga PD. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se deputetët e PD janë zgjedhur nga demokratët dhe jo nga ata që ai i cilësoi si mercenarë të Bashës. Paloka kërkon nga deputetët që ti drejtojnë disa pyetje Bashës sepse ai nuk pranon në asnjë rrethanë të votëbesohet.

“Kolegë deputet. Pas situatës së krijuar në PD ju keni sot përgjegjësi të madhe për fatin e atyre që ju kanë votuar, sepse fati i PD lidhet direkt me fatin e tyre dhe të shqiptarëve në përgjithësi ! A e dini ju se nga kush jeni votuar dhe keni ato mandate përfaqësimi sot? A e dini ndaj kujt detyroheni e keni përgjegjësi? Jeni votuar në radhë të parë nga demokratët. Kush mendon se e ka mandatin prej mercenarëve të Bashës apo banditëve me uniformë të Ramës, le të vazhdojë të qëndrojë në krah të tyre. Por nëse ka mes jush nga ata që i dhimbset PD dhe ndjejnë përgjegjësi për ata që i kanë votuar, nuk mund të ulni kokën e të heshtni sot”, tha ai.

Ndër të tjera, Paloka u shpreh se lideri demokrat Basha po përdor gjithë truket e kryeministrit Rama për të qëndruar në PD. Ai theksoi, se nuk i duhet PD një kryetar që blindon PD.

“A e shihni që Basha ka marrë e po përdor shëmtuar gjithë veset, hilet e truket e Ramës për të mbajtur karrigen kundër vullnetit të shumicës së anëtarëve të PD? A e shihni që gënjen njësoj si Rama e nuk skuqet? Deputetë të PD, pyeteni veten; kujt i duhet një kryetar dhe ca deputetë të mbyllur në një seli të blinduar që e mbron me gaz e policë Edvin Rama?”, tha ai.

Ndërkohë, edhe deputeti i PD Flamur Ndoka ka reaguar për përjashtimin e tij. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se i vetmi që i përfaqëson demokratët është Komisioni i Rithemelimit.

“Shoqata e bravave të bunkerit Alkatrazit paska njoftuar avancim me fushatën e përjashtimeve. Por, shoqata nuk përfaqëson demokratët e as PD. Demokratët më datë 11 dhjetor 2021 kanë miratuar në Kuvendin Kombëtar ngritjen e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD që i përfaqëson ata në vendimmarrje”, tha ai.

You may also like