Demolli: Duke e mbajtur të fshehtë femicidin në Kosovë, s’mund ta luftojmë atë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Dhuna mbi baza gjinore ose dhuna ndaj grave tashmë është një shprehje e njohur në shoqërinë kosovare. Nga viti 2000 e deri më 2022, 66 gra janë vrarë nga partnerët apo bashkëshortët e tyre.

Por, a mund të konsiderohet kjo si femicid? Kjo është një çështje rreth të cilës ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, kanë pikëpamje të ndryshme.

Gjithçka nisi nga një fjalim i deputetes nga Lëvizja Vetëvendosje, Arjeta Fejzës, e cila të enjten (09.03.2023) tha se “si institucione dhe shoqëri të bashkuar duhet ta luftojnë femicidin që po merr jetën e grave”.

Me këtë fjali nuk u pajtua deputetja Musliu. Ajo ia tërhoqi vërejtjen Fejzës duke i thënë që të ketë kujdes se çfarë po flet nga foltorja e Kuvendit.

Ganimete Musliu – deputete nga radhët e PDK-së

“Ju lutem, kujt po i konvenon që shoqërinë tonë ta bëjmë femicide? Në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra. Kuptojeni njëherë e përgjithmonë. Fjala femicid do të thotë urrejtje ndaj grave me përmasa të mëdha. Ka dhunë ndaj grave, ka që vriten gra, vriten edhe burra, por nuk guxojmë që në këtë parlament t’i japim emrin femicid. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse shkruhen raporte mbi këtë se çka flasim këtu”.

Mirëpo këtu reagoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke i thënë asaj se me këtë deklarim po i inkurajon kriminelët drejt dhunës ndaj grave.

Albulena Haxhiu – ministre e Drejtësisë

“E nderuar deputete, unë të ftoj që t’i bashkohesh angazhimit tonë për luftimin e fenomenit të dhunës në familje dhe femicidit. Po, në Kosovë ka femicid”, u shpreh e para e Drejtësisë.

Shqip e ka kontaktuar drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demollin, për të mësuar nëse në Kosovë ka femicid apo jo. Sipas saj, në shoqërinë tonë ka femicid, por se nuk është i përmasave të gjëra.

“Unë e kam përcjellë me vëmendje atë se çfarë kanë deklaruar ministrja Albulena Haxhiu dhe deputetja Ganimete Musliu. Koncepti i femicidit veç është i njohur në Kosovë dhe është pjesë e Konventës së Stambollit, për të cilën Kuvendi në mënyrë vullnetare ka votuar për t’u bërë pjesë e saj dhe e ka vendosur në Kushtetutën e Kosovës”.

Luljeta Demolli – Drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore

“Bazuar mbi këtë koncept, femicidi ekziston në Kosovë. Mund të tregojmë disa shembuj kur ka ndodhur: po i përmend katër raste që unë personalisht i konsideroj si raste të femicidit. Është rasti i Diana Kastratit në Prishtinë, rasti i Valbona Ndrecajt në Gjakovë, rasti i Marigona Osmanit në Ferizaj dhe rasti i fundit i Hamide Magashit te Gjinekologjia në QKUK”.

“Bazuar në këtë koncept, këto katër raste janë puro femicide, pa i harruar edhe gratë tjera. Të gjitha këto raste kanë ndodhur për shkak se burrat e kanë pasur një urrejtje ndaj tyre vetëm për faktin se janë gra edhe i kanë parë si më të pafuqishme të cilat kanë qenë edhe të pambrojtura nga shteti”, ka deklaruar Demolli.

Megjithëse nuk është fenomen i gjerë në Kosovë, sociologia vlerëson se duhet punuar shumë për ta parandaluar qoftë edhe një rast të vetëm.

“Deklarata e deputetes Ganimete Musliu nuk ka shkuar në këtë drejtim. Kosova ka disa obligime për ta luftuar femicidin. Andaj, edhe ministrja Haxhiu duhet të koncentrohet dhe t’i marrë obligimet që i takojnë asaj për ta luftuar këtë dukuri”.

“Obligimet që i takojnë asaj janë ta vendosë femicidin në urgjencë kombëtare duke e krijuar një mekanizëm mbikëqyrës ku i monitoron të gjitha institucionet për punën që po bëjnë për ta luftuar femicidin. Po ta kishte këtë mekanizëm ministrja Haxhiu, do ta kishte më të lehtë për ta bindur deputeten Musliu me të dhëna dhe detaje”.

Sipas saj, logjika që kjo dukuri të mbahet fshehtë brenda mureve të shtëpisë, nuk është logjikë që e lufton dhunën në baza gjinore.

“Femicidi përfshin edhe vrasjen e vajzave në barkun e nënës edhe abortin selektiv për shkak të gjinisë. Kosova tashmë ka hyrë në listën shteteve që i takojnë abortit selektiv. Për Kuvendin do të duhej të përbente shqetësim edhe aborti selektiv”, thotë ajo.

Në një raport të publikuar në vitin 2016 nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), po ashtu theksohet se sistemi familjar në Kosovë është shumë i njëanshëm në favor të djemve.

“Gjinekologët pohojnë se numri i grave që përzgjedhin gjininë e fëmijës është në rënie, por pranojnë se praktika ekziston dhe nuk është e rrallë. Sipas gjinekologëve, është e zakonshme që një grua të abortojë fshehurazi, duke e ditur se burri i saj nuk do të lejojë një tjetër fëmijë femër – i cili mund të rrezikojë martesën dhe familjen e gruas”, shkruan në raportin e UNFPA-së.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

klankosova.tv

You may also like