Cufaj: Kurti s’dallon nga tjerët, institucionet i ka kapur partia, ende sundojnë korrupsioni e nepotizmi

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka thënë se Kosova duhet ta pranojë planin franko-gjerman dhe se kryeministri Albin Kurti duhet të pajtohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse Kosova nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen perëndimore.

Në një editorial për Frankfurter Allgemeine Zeitung, pjesë të së cilit i ka sjellë DW në gjuhën serbe, Cufaj ka kritikuar Kurtin për kokëfortësi, duke thënë se nuk ka dallim nga paraardhësit e tij në institucionet e Kosovës.

“Këtu ka dy probleme. E para është se Kosova ka frikë se serbët, të cilët kontrollohen politikisht nga Beogradi, mund të kërkojnë ribashkim me Serbinë. Një problem tjetër, nga këndvështrimi im, është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, shkruan Cufaj, transmeton Gazeta Express.

“Pas dy vitesh në pushtet duket se Kurti nuk ka asnjë ndryshim nga paraardhësi i tij. Shqiptarët nga Kosova po emigrojnë masivisht në Gjermani. Korrupsioni dhe nepotizmi ende mbretëron, partia menaxhon institucionet”, thotë Cufaj.

Sipas mendimit të tij, presidenti serb Vuçiq e ka pranuar me druajtje planin franko-gjerman, ndërsa mesazhi i Kurtit – siç e kupton opinioni – është refuzimi i formimit të Asociacionit. Cufaj kujton se Kurti ende këmbëngul se një asociacion i tillë mund të ekzistojë vetëm në rast të njohjes së Kosovës nga Serbia.

“Kjo i bezdis partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht amerikanët dhe gjermanët. Pas dy vitesh në pushtet, Kurti do të duhet të heqë dorë nga të dyja premtimet parazgjedhore. Nuk ka pasur jetë më të mirë për qytetarët dhe Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të mund ta pengojë”, shkruan Cufaj, përcjell Klankosova.tv.

“Kosova ka kryeministër kokëfortë, por nuk ka tanke, aeroplanë dhe ushtri të madhe. Vuçiq e ka dhe Vuçiq, siç ankohet Kurti, është krahu i zgjatur i Putinit. Këshilltarët e Scholz, Macron dhe Biden mund t’i përgjigjen se do ta mbrojnë nga Vuçiqi dhe Putini me trupat e NATO-s”.

“A i frikësohet Perëndimi Vuçiqit, sepse ai është miku i Putinit? Jo. Por diplomatët i bindën politikanët e tyre: do ta shpëtojmë Vuçiqin nga presioni për ta njohur Kosovën de jure, por në këmbim do ta distancojmë nga Putini dhe Kosova do të marrë njohjen de facto nga Serbia. Ky është normalizim. Maksimumi nga minimumi. Me kusht që Kosova t’u japë autonomi serbëve të saj”, thekson Cufaj.

“A duhet që Perëndimi t’i kthejë shpinën Kosovës, për të cilën ka stacionuar mijëra ushtarë për më shumë se dy dekada për të ruajtur paqen e brishtë – vetëm sepse Kurti refuzon një marrëveshje me Serbinë? “Kosova nuk mund të përballojë të qëndrojë pa mbrojtjen e Perëndimit”.

Cufaj tha se diplomatët europianë dhe amerikanë nuk u kujdesën shumë për temën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë 15 vjet më parë.

“Kishte biseda pafund dhe pak rezultate. Në tavolinën gjeopolitike po shfaqeshin kriza të reja. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ishin një terren i favorshëm për shifra. Në njërën anë qëndronte Putini me ushtarin e tij besnik në Serbi, ish-ministrin e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq. Në anën tjetër, Perëndimi me fëmijën rebel Kosovën. Kush kishte dorën e sipërme? Putin, sigurisht. Nëse do të flisnit për Kosovën dhe Serbinë me Angela Merkelin, biseda në fakt do të ishte për Putinin”, shkruan Cufaj në një editorial për të përjavshmen Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Sipas Cufajt, të gjithë u zgjuan kur Putini marshoi në Ukrainë.

“Papritmas Ballkani u bë sërish temë. Më herët në Bruksel ka pasur bisedime të pafundme dhe marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, 33 marrëveshje të nënshkruara që nuk janë zbatuar. Me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, gjithçka u bë e parëndësishme”.

 

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

 

You may also like