Crnigoj i jep tre pikë të arta Venezias, VAR i mohon golin Belottit

by admin
Spread the love

Venezia ka marrë tre pikë të arta në luftën për mbijetesë, pasi ka fituar në transfertë 2-1 përballë Torinos. Vendasit kalojnë të parët në avantazh, por djemtë e Zanettit përmbysin gjithçka dhe largohen me tre pikë të arta nga Torino.

Vendasve u anulohet një gol në minutat e fundit të sfidës dhe nuk arrijnë të evitojnë humbjen e dytë radhazi në kampionat.

Torino nis vrullshëm ndeshjen dhe arrin të zhbllokojë shumë shpejt rezultatin me Brekalo. “Demat” dominojnë takimin dhe duket se shumë shpejt do të gjejnë edhe golin e dytë.

Por, skuadra e Zanetti fillon të fitojë metra dalëngadalë dhe fillon të shfaqet rrezikshëm në portën kundërshtare. Tentativa e parë e Venezias është me Aramu, që godet jashtë. Ndërsa në iniciativën e dytë, Haps barazon rezultatin, pas një gjuajtje me kokë. 45 minutat e para në Torino mbyllen në barazim 1-1.

Fraksioni i dytë i lojës nis menjëherë me gol dhe është Venezia ajo që feston. Crnigoj godet bukur një top në zonë dhe çon topin në rrjetë. Miqtë përmbysin gjithçka dhe kalojnë në avantazh.

Venezia rrezikon sërish, por Haps nuk arrin që të godasë. Torino përpiqet të reagojë dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit. Tekniku Juric bën 4 zëvendësime njëkohësisht, që ti japë energji të reja skuadrës.

Vendasit dominojnë lojën, por nuk arrijnë të rrezikojnë seriozisht portën e Venezias, që mundohet të shfrytëzojë në maksimum kundërsulmin.

Përpjekjet e Torinos konkretizohen në minutën e 90-të, kur Belotti godet saktë me kokë dhe dërgon topin në rrjetë. 2-2 por vendasit nuk mund të festojnë, sepse VAR anulon golin për pozicion jashtë loje. Mbyllet 1-2 sfida e Torinos pas 104 minutave lojë.

Itali – Serie A / Java e 25-të

Torino-Venezia 1-2

Brekalo 5’/ Haps 38’, Crnigoj 46’

You may also like