‘Çmenden’ mediat maqedone: Bekimi sapo u ul në kolltukun e ministrit, shqiptarizoi Ministrinë e Shëndetësisë

by admin
Spread the love

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë në rrjetin social Instagram, fillimisht në gjuhën shqipe dhe pastaj në ate maqedonase ka nxitur shkrime të disa mediave maqedonase.

Gazeta “Veçer” ka shkruar se qytetarët maqedonas kanë reaguar ashpër përmes komenteve pas një postimi të Ministrisë së Shëndetësisë, ku informohej për akte madhështore të dhurimit të organeve që shpëtojnë jetë njerëzve.

Në komentet e këtij postimi, “Veçer” shkruan se vërehet revolta e qytetarëve për shkak të zbatimit jo korrekt të ligjit për gjuhët nga shërbimet e marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Shëndetësisë. Po ashtu titulli i kësaj gazete në versionin online është se “Sapo u ul në kolltuk, Bekimi shqiptarizoi Ministrinë e Shëndetësisë”.

Ky është njoftimi që nxiti reagimi vetëm pse postimi fillimisht është në shqip dhe pastaj në maqedonisht:

“Në orët e mëngjesit të djeshëm, një familje e guximshme vendosi të dhuronte organet e një të afërmi të tij, të cilit i ishte konfirmuar vdekja e trurit. Pas përgatitjeve dhe koordinimit ndërmjet ekipeve të klinikave interne dhe kirurgjike, në orët e vona të natës ka filluar eksplantimi, e menjëherë më pas edhe transplantimi, fillimisht i zemrës, ndërsa në mëngjesin e sotëm edhe i të dy veshkave.

Një pacient i ri iu nënshtrua transplantimit të zemrës, ndërsa te dy pacientë me dializë tashmë po transplantohen veshkat. Ndërkaq disa pacientë të tjerë në ditët në vijim do të mund t’i marrin indet kockore. Me humanizmin e tyre dhe vendimin për t’i dhuruar organet, kjo familje u dha jetë të paktën tre pacientëve, ndërsa të gjithë neve na solli një mëngjes plot shpresë.

Dhe ne u jemi pafundësisht mirënjohës atyre për këtë. Falënderime edhe ndaj ekipeve mjekësore të të gjitha klinikave të përfshira në eksplantim dhe transplantim, të cilët gjatë 24 orëve të fundit punuan pa u lodhur dhe që akoma vazhdojnë të punojnë”. /InfoShqip.com

You may also like