Cikalleshi: Ishte penallti ndaj Spanjës, ndaj Gjeorgjisë duhet të shënonim

by admin
Spread the love

“Më vjen keq që nuk arritëm të fitonim ndeshjen. Kemi qenë superiorë gjatë gjithë lojës. Rastet i kishim. Në mos unë, Vrioni apo Çekiçi të kishin shënuar. Dua gjithmonë që Kombëtarja të jetë e para, paraqitjet individuale vijnë të dytat. Kështu ke sukses gjithmonë”, tha direkt pas ndeshjes me Gjeorgjinë Sokol Cikalleshi.

Sulmuesi u pyet edhe për lojën në RTSH dhe shtoi: “Varet nga kundërshtari që kemi përballë. Kur kishim Spanjën përballë, detyrat mbrojtëse ishin primare. Broja në aspektin difensiv duhet të mos konsumohej dhe më ra mua barra e mbrojtjes. Isha i fokusuar për të dhënë më të mirën që ne të arrinim një rezultat pozitiv”.

“Sot isha më afër golit. Unë i referohem direktivave të trajnerit. Mundohem ti zbatoj me përpikmëri. Gjithmonë vendos ekipin në vendin e parë. Sot kishim përballë Gjeorgjinë dhe do të futeshim me çdo kusht për ta fituar ndeshjen. Në pjesën e parë nuk arritëm të shënonim.

Në pjesën e dytë kërkohej goli me ngulm, direktivat ishin të shënonim. Urojmë që deri në qershor gjërat e vogla t’i përmirësojmë. Të gjithë duam që Kombëtarja të jetë dinjitoze përballë ekipeve të mëdha dhe fituese përballë ekipeve të nivelit tonë apo edhe më të vogla”.

“Moduli? Kemi një skemë ku mundohemi ta zbatojmë me përpikëri. 3-5-2. Më përpara kemi luajtur me 1 sulmues në kohën e De Biazit. Tani ndihemi OK. Nuk duhet të jemi më shumë përpara. Sot kishim Çekiçin numër 10 dhe Roshin ofensiv. Varet nga eksperienca individuale e çdo njeriu. Edhe unë duhet ta kisha zgjidhur më mirë atë moment. Gjërat e vogla duhet t’i përmirësojmë dhe t’i fitojmë ndeshjet,  qoftë edhe me gjysmë goli”.

“Penalltia? Ndaj Spanjës më ka ardhur një shtyrje nga mbrapa. Po të kishte VAR do të ishte penallti. Kam një këshillë për të rinjtë. Do të doja që ne të ishim gjithmonë një grup i mirë, çdo njeri dikush më shumë dikush më pak do të luajmë. Duke qenë grup mund të arrijmë lart. Ky është futbolli 11 luajnë, të tjerët duhet të jenë në pankinë. Me frymën e grupit ecet përpara”, tha Cikalleshi. / oversport.tv

You may also like