Çfarë ndodh nëse nuk miratohet koalicioni i Berishës me LSI-në? Celibashi tregon skenarët

by admin
Spread the love

Sot është afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. I vetmi koalicion i cili do të garojë është ‘Shtëpia e Lirisë’, koalicioni mes Berishës dhe LSI-së.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një intervistë për Top Channel ka dhënë detaje mbi mënyrën se si do të procedohet me regjistrimin e koalicionit të Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

I pyetur se si do të procedohet me regjistrimin e këtij koalicioni, Celibashi tha se kërkesa e tyre është duke u shqyrtuar dhe vlerësuar, derisa të ketë një përgjigje.

“Ka një kërkesë të paraqitur nga disa parti që janë të regjistruara tashmë, që kanë shprehur interesin për tu regjistruar si koalicion, ne po e verifikojmë dhe nesër vendosim. Nuk mund të them më shumë se kaq sepse është një çështje që është në një proces vlerësimi. Ajo që mund të them është se ka një kërkesë për tu regjistruar si koalicion nga parti politike të cilat janë tashmë të regjistruara si subjekt zgjedhor”, tha Celibashi.

Po nëse KQZ nuk e miraton? Celibashi tha se lind e drejta për ankim. “Ndaj vendimit të Komisionerit mundet të ushtrohet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe sanksioneve dhe mandej në Kolegjin Zgjedhor të Apelit”, tha Celibashi.

I pyetur nëse grupimi i ‘Rithemelimit’ ka mundësi tjetër për të hyrë në garë, Celibashi nuk dha një koment. “Është një pyetje për të cilën nuk mund të japë përgjigje dhe jo se hezitoj, por ligjërisht do të isha në pozitën e këshilluesit për çdo të interesuar”, u shpreh Celibashi.

You may also like