Çfarë mësimi duhet të nxjerrë Spotify nga çështja Joe Rogan –

by admin
Spread the love

Kur Neil Young dhe Joni Mitchell vënë re një padrejtësi, ata kundërpërgjigjen duke shkruar këngë në shenjë proteste, për shembull, duke denoncuar racizmin në këngën “Southern Man” dhe luftën e Vietnamit në “The Fiddleand The Drum”.

Sot, dy muzikantët parapëlqejnë të flasin duke shtypur butonin e heshtjes. Dyshja tërhoqi këngët nga Spotify, transmetuesi më i madh i muzikës në botë, në shenjë proteste ndaj “The JoeRogan Experience”, një podcast që u jepte kohë transmetimipersonave që flisnin kundër vaksinave. Spotify ka vendosur të mos heqë nga transmetimi podcaster-in e tij.

Zoti Rogan ka gabuar në lidhje me Covid-19 dhe ndoshta shumë gjëra të tjera. Megjithatë, ai nuk ka thyer asnjë ligj, madje,sipas Spotify, nuk ka thyer as vetë rregullat e përmbajtjes së kompanisë. Në parim, zoti Rogan duhet të jetë i lirë të flasë.

Nga ana komerciale, Spotify ka besuar se emisioni i tij i njohur, do të tërheqë më shumë klientë sesa do të zmbrapsë. Fakti që çmimet e aksioneve të Spotify dhe platformave të tjera si Meta, po bien për shkak të ngadalësimit të rritjes, tregon se vendime të tilla janë pjesë e biznesit të Spotify.

Por kjo mosmarrëveshje nxjerr në pah një problem më të ndërlikuar. Shumica e 3.2 milionë podcaster-ëve në Spotify nuk janë si zoti Rogan, i cili e shiti shfaqjen e tij tek kompania në vitin 2020, për një vlerë prej 100 milionë dollarësh. Shumica dërrmuese janë amatorë, që ngarkojnë shfaqjet e tyre në platformën e Spotify, po aq lehtë sa do të bënin në një rrjet social.

Po kështu, shumica e dhjetëra mijëra këngëve të reja të ngarkuara në Spotify çdo ditë, regjistrohen nëpër dhoma gjumi dhe garazhe. Rezultati është se përzierja e përmbajtjes në platformat audio po fillon të duket më pak si lista e filtruar e Netflix, dhe më shumë si lëmshi i YouTube. Por, ndryshe nga rrjetet e tjera sociale, platformat audio kanë pak përvojë në moderimin e përmbajtjes.

Ato duhet të mësojnë shpejt. Polemikae vaksinave është shembulli i parë i një debati me të cilin rrjetet e tjera sociale janë përballur prej vitesh dhe që tani po përhapetedhe në platformat audio. Nga njëra anë, shumica e konsumatorëve duan mbrojtje nga përmbajtjet e dëmshme. Shembulli më i mirë është nxitja e dhunës, të cilën e dënon edhe Amendamenti i Parë i Amerikës.

Facebook është përdorur për të nxitur gjenocidin në Myanmar: një ditë kjo mund të ndodhë edhe në platformat audio. Nga ana tjetër, pak njerëz duan që drejtuesit e teknologjisë të bëhen censurues. Shumë këngë të mira përmbajnë gjuhë të keqe, ide shqetësuese dhe dhunë. Disa podcast-e do të ngjallin polemika. E drejta e fjalës së lirë duhet të mbizotërojë.

Pika fillestare është transparenca, e cila u mungon shumë platformave audio. Spotify publikoi “rregullat e platformës” vetëm pas shpërthimit të polemikës Rogan. Apple, një transmetues tjetër i madh, ka udhëzime për përmbajtjen e podcast-eve, por një udhëzues stili të vakët për muzikën. Amazon, platforma e tretë më e  madhe audio, ka publikuar edhe më pak rregulla.

Dhe ndërsa Facebook dhe kompani të tjera publikojnë raporte të rregullta në lidhje me faktin se çfarë përmbajtje kanë eliminuar dhe pse, transmetuesit audio mbeten të heshtur. Në mes të krizës Rogan, Spotify përmendi rastësisht se kishte eliminuar 20,000 episode podcast për keqinformim ndaj Covid-19. Çfarë tjetër po eliminon? Askush nuk e di.

Liberalët me të drejtë janë të kujdesshëm ndaj modelimit online. Por rregullat e qarta dhe të parashikueshme mund ta mbrojnë fjalën e lirë, po aq sa ta përmbajnë atë. Rregullat përcaktojnë jo vetëm atë që është e ndaluar, por gjithashtu ndihmojnë në mbrojtjen e asaj që lejohet.

“Bordi mbikëqyrës” i Facebook urdhëron vazhdimisht rrjetin social që të rivendosë postime të fshira, nëse konstaton se ato i binden rregullave të tij. Rrjetet sociale nuk janë aspak të përsosura, por rregullat që janë të hapura për shqyrtim publik, mund të përmirësohen gradualisht.

Në të kundërt, dështimi për të përcaktuar atë që lejohet dhe nuk lejohet, rrezikon të ketë një efekt ftohës, ku njerëzit shmangen nga polemikat. Për shembull, podcaster-ët amatorë mund të zgjedhin të mos rrezikojnë të debatojnë mbi efikasitetin e vaksinave, duke ditur se 20,000 të tjerë janë eliminuar nga platforma për thyerjen e kufijve të padukshëm, nga një censurë e paparashikueshme.

Edhe më keq, mungesa e rregullave të mirë përcaktuara, i inkurajon ata kritikë që shpresojnë se duke bërtitur mjaftueshëm me zë të lartë, mund t’i detyrojnë kompanitë të anulojnë akte të cilat ata nuk i miratojnë.

Me kontratën e tij me Spotify, zoti Rogan nuk është një podcaster i zakonshëm. Por mosmarrëveshja që ka shkaktuar emisioni i tij, duhet të shihet si një paralajmërim për Spotify dhe transmetuesit e tjerë, për debate më të mëdha që i presin. Facebook, Twitter dhe rrjete të tjera sociale, kanë qenë prej kohësh në qendër të debatit, se çfarë lloj fjalimesh duhet të lejojnë dhe të ndalojnë.

Ndërsa platforma si Spotify po hapin dyert për më shumë përmbajtje të krijuara nga përdoruesit, të njëjtat beteja mbi fjalën e lirë do të vijnë edhe në platformat audio. Transmetuesit duhet të përgatisin rregullat e tyre që tani dhe të bëhen gati për polemikën tjetër, të pashmangshme./ Përktheu: Lira Muça

You may also like