Çfarë incidente u shënuan për targat deri tash, MPB jep detaje – Shqip

by admin
Spread the love

Afër 10 mijë vetura besohet se qarkullojnë me targa ilegale në katër komunat veriore të Kosovës. Targat kanë qenë temë diskutimi qe shumë vite, por nuk ka pasur një zgjidhje të përhershme. Çështje diskutimi targat janë bërë edhe së fundi, kur Qeveria e Kosovës e modifikoi vendimin me tri faza, për çka pati tensione në Veri.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë treguar numrin e incidenteve që lidhen me targat, të veturave që janë riregjistruar dhe të fletë qortimeve të shqiptuara.

Nga 1 nëntori janë shënuar dy incidente që lidhen me targat, ndërsa në tri ditët e fundit tri automjete janë regjistruar me targat RKS.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi tha se që nga viti 2011 janë djegur 56 automjete të qytetarëve serbë. Sipas saj këto veprime janë bërë për shkak se “qytetarët kanë dashur të bëhen pjesë e ligjshmërisë në vend”.

“Nga 1 nëntori janë dy zjarrëvënie ndërsa nga viti 2011, prej kur ka nisur procesi i konvertimit të targave, janë djegur 56 automjete të qytetarëve serb. Të gjitha këto veprime kriminale janë bërë për shkak se këta qytetarë kanë dashur që të bëhen pjesë e ligjshmërisë në vend duke kthyer targat ilegale në ato legale RKS. Pra, të gjitha këto sulme që kanë cënuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe kanë dëmtuar pronat e tyre kanë qenë të organizuara nga grupet kriminale të Serbisë me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit që qytetarë tanë serbë të mos i regjistrojnë veturat e tyre në RKS”, tha Fetoshi për Express.

Ajo foli edhe për regjistrimin e veturave dhe konvertimin e targave ilegale në RKS. Sipas saj 29 vetura janë regjistruar dhe kanë ndërruar targat.

“Qytetarët po vazhdojnë që të regjistrojnë veturat e tyre dhe të kthejnë targat KM, GL, PR, PZ etj në të Republikës së Kosovës. 29 vetura janë regjistruar dhe kanë ndërruar targat në legale dhe vetem dy ditë e fundit kishim tri regjistrime të reja të veturave. Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në kapacitete të plotë po vazhdojnë të mirëmbajnë organizimin e procesit për regjistrimin e targave ilegale në ato RKS ku këtij afati qytetarët po vazhdojnë t’i përgjigjen dhe përfitojnë nga lehtësira të shumta tatimore e doganore”.

Në fazën e parë të vendimit të Qeverisë për targat, ka qenë e paraparë që për shoferët e veturave me targa ilegale të shqiptohen fletëqortime.

Fetoshi thotë se gjatë masës së parë të vendimit Policia e Kosovës ka shqiptuar 1779 qortime.

Targat ishin temë diskutimi edhe dje në takimin tetëorësh ndërmjet kryeministrin të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell.

Ky takim përfundoi pa marrëveshje, ndërsa mbrëmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Kurti shtyrje 48-orëshe, kërkesë të cilën kryeministri e pranoi.

You may also like