Çfarë duhet të dini mbi aftësinë e trurit tonë për t’u shëruar – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Jill Bolte Taylor

Truri ynë përbëhet nga miliarda qeliza, të cilat punojnë së bashku për të krijuar çdo aftësi që kemi si qenie njerëzore. Unë mund të nxjerr tinguj nga goja apo të flas fjalë, pikërisht sepse ato qeliza në trurin tim janë të lidhura dhe funksionale. Dhe ju mund të më kuptoni kur unë flas pasi këto qeliza në trurin tuaj janë aktive dhe funksionale.

Ju vetë po i përdorni pikërisht tani këto grupe specifike qelizash për të përkthyer shkronjat në ekran në fjalë me kuptim. Nëse ato zhduken përmes një goditje në tru ose traumave të tjera të trurit, dhe mund të mos jeni më në gjendje të lexoni, por mund të jeni ende në gjendje të flisni, këndoni ose shkruani.

Gjithçka ka të bëjë me vendin se ku dëmtohet truri, se cilat sisteme qelizore janë të traumatizuara dhe cilat jo. Marrin rastin shumë të diskutuar kohët e fundit mbi kandidatin demokrat për në Senatin amerikan Xhon Feterman, që pas një goditje në tru e ka ruajtur aftësinë për të lexuar, menduar dhe përgjigjur pyetjeve, por nuk është shëruar ende plotësisht.

Ai i artikulon me vështirësi disa fjalë, dhe ka hasur vështirësi në përpunimin dëgjimor. Një problem që shumë njerëz e kanë vënë re edhe gjatë debatit me rivalin e tij republikan, Mehmet Oz.

Duke dashur të shmang polemikat, unë këtu po ndaj përvojën personale se si është të kesh një problem me përpunimin dëgjimor. Është njëlloj si një vonesë e vogël midis asaj që dëgjoni dhe aftësisë suaj për të kuptuar kuptimin e asaj që u tha. 25 vjet më parë, kur isha 37 vjeçe(truri juaj mund të jetë duke lexuar dhe duke llogaritur moshën time), përjetova një goditje të rëndë hemorragjike në gjysmën e majtë të trurit.

Brenda pak orësh nuk mund të ecja, flisja, lexoja, shkruaja apo të kujtoja ndonjë kujtim të jetës sime. Unë u shndërrova menjëherë në një foshnjë në trupin e një gruaje. Goditja në tru është një nga shkaqet kryesore të paaftësisë fizike dhe mendore në Shtetet e Bashkuara, dhe më shumë se 795.000 njerëz përjetojnë një të tillë çdo vit.

Në kohën kur më ndodhi goditja isha neuroshkencëtar, më saktësisht një anatomiste e trurit. Jepja leksione dhe kryeja kërkime mbi trurit në Shkollën Mjekësore të Harvardit. Ishte puna dhe pasioni im të studioja qelizat e trurit nën një mikroskop, e frymëzuar pjesërisht nga diagnoza e vëllait tim me sëmundjen e skizofrenisë.

Si motra e tij por edhe si një shkencëtare profesioniste, unë doja të kuptoja se pse truri im mund të lidhë ëndrrat e mia me realitetin në një mënyrë që unë të mund të veproja sipas tyre dhe pse ëndrrat e vëllait tim degraduan në deluzione psikotike. Studimi im u bë edhe më personal pas rimëkëmbjes nga goditja celebrale.

Ekzistojnë dy lloje themelore të goditjeve në tru. E para është goditja ishemike, të cilën e ka përjetuar edhe Feterman. Ajo ndodh kur një mpiksje gjaku bllokon një enë dhe bashkë me të transportin e oksigjenit dhe lëndëve të tjera ushqyese në qelizat e trurit, duke i bërë ato të paafta për të kryer funksionin e tyre.

E dyta është goditja hemorragjike, që pata edhe vetë, një dukuri disi më e rrallë që ndodh kur një enë gjaku çahet dhe kur gjaku depërton në indin që nuk i përket, duke e shkatërruar aftësinë e qelizave të trurit për të komunikuar me njëra-tjetrën. Deficitet që ne përjetojmë dhe shfaqim si simptoma varen kryesisht nga vendi ku ndodh një goditje, dhe cili ishte funksioni normal i qelizave që u traumatizuan.

Qelizat që nuk janë prekur nga goditja mund të vazhdojnë të funksionojnë mirë. Kjo është ajo që mund ta bëjë të ndryshme nga personi në person përvojën e një goditjeje, dhe që nxjerr në pah edhe keqkuptimet mbi personin e prekur. Një pauzë e vogël midis kohës kur dikujt i bëhet një pyetje dhe momentit kur ai nis të flasë, sigurisht mund të vërë në siklet disa njerëz, por nuk do të thotë domosdoshmërisht ndonjë gjë serioze mbi aftësinë e një personi për të menduar dhe arsyetuar në mënyrë inteligjente.

Edhe dëmtimi i rëndë nga një goditje celebrale, siç e përjetova unë, nuk është gjithmonë i përhershëm. Truri ynë ka një mekanizëm mbrojtës me dy drejtime, që aktivizohet që kur ndodh trauma. Ai jo vetëm që është në gjendje të rritë disa neurone të reja – një proces i quajtur neurogjenezë – sidomos në vendet ku ka ndodhur trauma fizike, por qelizat tona të trurit janë të afta për neuroplasticitet, pra ato mund të riorganizojnë neuronet e tjera me të cilat janë në komunikim midis tyre.

Shkencëtarët besonin se rrjetet tona nervore zhvillohen plotësisht që në vitet e para të jetës sonë, dhe se ato qarqe do të mbesnin ashtu gjatë gjithë jetës sonë. Megjithatë, tani është kuptuar se neuroplasticiteti është një fenomen i vazhdueshëm që qëndron në themel të aftësisë së qelizave tona të trurit, jo vetëm për tu shëruar nga trauma, por edhe për të ndërtuar rrjete të reja që janë edhe më të forta se sa ishin më parë.

Neuroplasticiteti është një gjendje e vazhdueshme, e cila qëndron në themel të aftësisë së trurit për të mësuar gjatë gjithë jetës sonë. Shërimi i plotë i trurit tim pas një traume të madhe është dëshmi e fuqisë së neuroplasticitetit dhe aftësisë sonë për të rikuperuar funksionet e humbura.

Masa prej 1.4 kg e indit neurologjik që ne e quajmë tru, ka fuqinë jo vetëm të krijojë çdo aftësi që kemi, por edhe të manifestojë perceptimin tonë për realitetin. Neuronet janë krijesa të bukura dhe të brishta, të cila punojnë së bashku gjatë gjithë jetës sonë.

Kjo është arsyeja pse, sa herë që takoj dikë që ka përjetuar një traumë në tru të çfarëdo lloji, nuk përqendrohem tek ajo se çfarë aftësish ka humbur ai person, por më tepër mrekullohem se çfarë njohurish mund të ketë fituar ai person për shkak të përvojës.

Ka qenë shumë e rëndësishme për median dhe publikun që zoti Feterman ka qenë plotësisht transparent në lidhje me sëmundjen dhe shërimin e tij si një kandidat për poste publike. Mjekët e tij kanë dalë garant për shëndetin e tij mendor, dhe shtabi i tij elektoral thotë se ai po testohet në disa teste njohëse se është tërësisht normal.

Por në vend që të mrekullohet nga rikuperimi – pra nga fakti që pas një goditjeje të rëndë aftësitë e tij motorike janë të mira, ai mund t’u përgjigjet pyetjeve me shpejtësi dhe në mënyrë të përshtatshme, mund të përdorë gjatë intervistave aftësitë njohëse për të marrë informacion nga përvoja e tij e kaluar si nën/guvernator – fokusi kryesor duket të jetë nëse ai është vërtet mirë apo i aftë për detyrën.

Eksperët si unë që studiojnë trurin, e kuptojnë menjëherë se aftësitë njohëse të zotit Feterman duket se janë shumë të mira. Mund të duhen disa muaj përpara se ai të ndihet plotësisht i sigurt në aftësitë e veta dhe të heqë dorë nga leximi i mesazheve të titruara.

Por neuroplasticiteti i trurit është një proces i vazhdueshëm, dhe ai do të vazhdojë ta riparojë trurin dhe ta ndihmojë atë të shërohet. Pak gjëra kanë një ndikim shumë të madh në mënyrën se si dikush zgjedh të jetojë jetën, aq të madh sa traumat neurologjike apo përvoja afër vdekjes. Dhe kur pësojmë një dëmtim në tru, ne bëhemi shumë të brishtë dhe kemi nevojë që të tjerët të na mbështesin, dhe jo të na kritikojnë apo gjykojnë. Pas goditjes që pësova unë u bëra një person shumë më i dhembshur dhe empatik. Dhe ndoshta nuk jam e vetmja. / “New York Times” – Bota.al

You may also like