Çfarë do të thotë për sigurinë rajonale, ndërtimi i një bazë e re amerikane ushtarake në Shqipëri?

by admin
Spread the love

Nga Hamza Karcic

Më 6 janar 2022, Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropë (SOCEUR) bëri publike vendimin e saj për “vendosjen në Shqipëri të një shtabi me bazë SOF (Forcat Operacionale Speciale)”.

I përshkruar si një vendim që synon të rrisë aftësitë e SOF në garantimin e stabilitetit rajonal, kjo lëvizje ndodhi duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografikisht strategjike të Shqipërisë. Komandanti i SOCEUR, gjeneralmajor Dejvid H.Tabor, citohet të jetë shprehur: “Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi forcat lokale brenda Ballkanit, në koordinim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendin më të mirë për këtë synim”.

Komandanti tjetër i SOCEUR, Shon Foertsh, vuri në dukje anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, marrëdhëniet e forta me qeverinë shqiptare, vendndodhjen gjeografike të vendit, si dhe ndërlidhjen me qendrat e transportit ballkanik si ndër arsyet që çuan në këtë vendim. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshëndeti këtë vendim, duke e cilësuar atë një “lajm fantastik”. Në fakt, Shqipëria i propozoi që në vitin 2018 SHBA-së ndërtimin e një bazë ushtarake amerikane në territorin e saj.

Sipas reporterit mbi çështjet ushtarake Xhon Vandiver, një vendim i tillë i vendos Forcat Speciale pranë “vendeve si Greqia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ku ndikimi politik, ekonomik dhe ushtarak rus, është rritur në mënyrë të vazhdueshme vitet e fundit”.

Ky vendim i Komandës së Operacioneve Speciale për Evropën me bazë në Shtutgart të Gjermanisë, vjen pikërisht në një kohë të tensioneve në rritje në Ballkanin Perëndimor.  Që nga fundi i viteve 1990, nuk ka pasur kaq shumë shqetësim mbi stabilitetin e këtij rajoni.

Bosnja është aktualisht në pragun e ndarjes, pasi nacionalistët serbë po ushtrojnë presion për shkëputjen nga shteti federativ. Ajo përballet me krizën politike dhe të sigurisë më të rëndë që nga fundi i luftës në vitin 1995.

Se si do të shpaloset kriza, kjo mbetet të shihet në javët e ardhshme. Serbia është armatosur goxha gjatë viteve të fundit, gjë që i ka shqetësuar seriozisht fqinjët e saj. Qeveria e re e Malit të Zi, që është në pushtet që nga fundi i vitit 2020, ka një angazhim të lëkundur ndaj aleancës perëndimore.

Maqedonia e Veriut iu bashkua NATO-s në vitin 2020, por tani Bullgaria po e bllokon rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për pasojë, situata e sigurisë në Ballkan është aktualisht më sfiduese sesa një dekadë më parë.

Është kjo arsyeja pse lajmi mbi bazën e re amerikane në Shqipëri, është kaq shumë domethënës. Duke qenë në kufi me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ofron një qasje më të lehtë në shtetet pasardhëse të ish-Jugosllavisë.

Për më tepër, vendi ka një vendndodhje strategjike, me dalje si në Detin Adriatik ashtu edhe në Detin Jon. Një vend dikur i izoluar gjatë Luftës së Ftohtë, Shqipëria është shndërruar në një komb shumë pro-amerikan dhe pro-perëndimor. Ish-shteti komunist u anëtarësua në NATO në vitin 2009.

Shqipëria dërgoi trupat e saj në mbështetje të luftës së udhëhequr nga SHBA-ja në Afganistan dhe Irak, duke i konsoliduar kështu kredencialet e saj pro-amerikane. Vendimi i SHBA-së pasqyron rëndësinë strategjike të Shqipërisë por edhe destabilitetin në rritje në Ballkan. Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që Shqipëria ka pasur në territorin e saj bazën e një fuqie të madhe. Gjatë Luftës së Ftohtë, në vitet 1950, baza detare e Pasha Limanit në Shqipëri ishte e vetmja bazë sovjetike në Adriatik, që i siguronte Bashkimit Sovjetik qasje në Detin Mesdhe.

Megjithatë, ajo marrëveshje nuk zgjati shumë, pasi diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha i prishi  marrëdhëniet me Moskën. Në dallim nga politika e saj e jashtme gjatë Luftës së Ftohtë, disa dekada më vonë, Shqipëria është pozicionuar fort në Aleancën Atlantike.

Baza e re në Shqipëri, e rrit fuqinë  e SHBA-së Ballkan. Në Kosovën fqinje, një bazë e rëndësishme amerikane e njohur si “Bondsteel Camp”, është selia e trupave amerikane që ruajnë paqen në kuadër të misionit të KFOR-it.

Prania e trupave amerikane në Kosovë, është një garanci sigurie se shteti më i ri në Evropë do të mbetet paqësor. Por për të ruajtur paqen në Ballkan në periudhën e trazuar në vazhdim, SOCEUR-it amerikan duhet të marrë në konsideratë ngritjen e një baze të ngjashme të Forcave të Operacioneve Speciale në Bosnje.

Kjo bazë mund të vendoset në Tuzla, pasi ka pranë aeroportin. Afërsia e Tuzlës, me qytetin strategjik të Brckos në verilindje të vendit, do të ishte një pengesë për çdo përshkallëzim të mundshëm të dhunës në javët dhe muajt në vijim.

Së bashku me praninë amerikane në Kosovë, dhe me praninë e shtuar tashmë në Shqipëri, baza amerikane në Bosnje, do të dërgonte një mesazh të qartë për angazhimin e SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon. Të kombinuara së bashku, bazat amerikane në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, do të ishin themeli i sigurisë së udhëhequr nga Amerika në këtë cep të Evropës. / “TRT World” – Bota.al

You may also like