Çfarë do ndodhë me luftën kundër Hamasit? Përçarje mes zyrtarëve të lartë izraelitë

by admin
Spread the love

Mes zyrtarëve të lartë izraelitë po shfaqen përçarje lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar lufta kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Gadi Eisenkot, një prej katër anëtarëve të kabinetit të luftës, hodhi dyshime mbi strategjinë për lirimin e pengjeve, qëndrim që vjen ndërsa kryeministri Netanyahu hodhi poshtë thirrjet e Shteteve të Bashkuara, për të ulur intensitetin e operacioneve ushtarake.

Vetëm një marrëveshje armëpushimi mund të sigurojë lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen ende nga militantët islamikë në Gazë dhe pretendimet se ata mund të lirohen me mjete të tjera, janë thjesht një “iluzion“, tha ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, në deklaratën e tij të para publike ndërsa lufta vazhdon.

Komentet e zotit Eisenkot të enjten në mbrëmje ishin sinjalet më të fundit të mosmarrëveshjeve mes udhëheqësve politikë dhe ushtarakë mbi drejtimin që po merr ofensiva e Izraelit ndaj Hamasit, e cila ka hyrë tashmë në muajin e saj të katërt.

Izraeli goditi Gazën nxitur nga sulmi i pashembull terrorist i Hamasit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë si dhe rreth 240 të tjerë u morën peng. Kundërpërgjigja izraelite në rajonin me një popullsi prej 2.3 milionë banorësh ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës. Autoritetet izraelite thotë se në Gazë mbahen ende më shumë se 130 pengje dhe se jo të gjithë besohet se janë gjallë.

Gjatë ofensivës izraelite, një nga fushatat ushtarake më të përgjakshme dhe më shkatërruese të dekadave të fundit, janë vrarë rreth 25 mijë palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës ndërsa është shpërngulur më shumë se 80 për qind e popullsisë së territorit.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gazë bëri të ditur të premten se një ditë më parë u vranë 142 persona dhe u plagosën 278 të tjerë. Numri i përgjithshëm i të plagosurve ka arritur në mbi 62 mijë.

Izraeli ka ndërprerë pothuajse të gjitha furnizimet për Rripin e Gazës përfshirë ato në ushqime, ujë dhe karburant. Çdo ditë në territor hyn vetëm një pjesë e vogël, krahasuar me vëllimin e paraluftës prej rreth 500 kamionësh. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë për rajonin.

Po kështu komunikimi në rajon është ndërprerë duke hyrë të premten në ditën e shtatë të tij, ndërprerja më e gjatë që nga fillimi i luftës. Mungesa e komunikimit pengon koordinimin për shpërndarjen e ndihmës si dhe përpjekjet për shpëtim të të plagosurve.

Shtetet e Bashkuara, aleati më i ngushtë i Izraelit, kanë ofruar mbështetje të fortë ushtarake dhe politike për ofensivën, por gjithnjë e më shumë po i bëjnë thirrje Izraelit të ulë intensitetin dhe të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pas luftës – sugjerim që Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar me forcë.

Të enjten gjatë një konference për shtyp, që u transmetua në televizionin kombëtar, zoti Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij të hershëm, ndaj një zgjidhjeje me dy shtete. Ai tha se një shtet palestinez do të shërbente si bazë për ndërmarrjen e sulmeve ndaj Izraelit.

Izraeli “duhet të ketë kontrollin mbi sigurinë në të gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan”, tha zoti Netanyahu.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Autoriteti Palestinez, i njohur ndërkombëtarisht, e që qeveris zonat gjysmë autonome në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duhet të riorganizohet dhe të kthehet në Gazë. Në vitin 2007 Hamasi e rrëzoi Autoritetin Palestinez nga pushteti në Gazë.

Uashingtoni ka bërë thirrje gjithashtu për hapa drejt krijimit të një shteti palestinez. Palestinezët kërkojnë që brenda shtetit të tyre të ardhshëm të përfshihet Rripi i Gazës, Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi lindor.

Duke folur të mërkurën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Sekretari i Shtetit Blinken tha se zgjidhja me dy shtete është mënyra më e mirë për të mbrojtur Izraelin, për të bashkuar vendet e moderuara arabe dhe për të izoluar armikun kryesor të Izraelit, Iranin. Ai tha se pa një rrugë drejt një shteti palestinez, Izraeli nuk mund të ketë “siguri të vërtetë”.

Në të njëjtën konferencë, ministri i jashtëm i Arabisë Saudite tha se mbretëria ishte gati të vendoste marrëdhënie të plota me Izraelin si pjesë e një marrëveshjeje më të madhe politike. “Por kjo mund të ndodhë vetëm përmes paqes për palestinezët, përmes një shteti palestinez”, tha ai.

Një zëdhënës i Presidentit palestinez Mahmoud Abbas, i cili kryeson Autoritetin Palestinez, tha të enjten në mbrëmje se nuk mund të ketë “siguri dhe stabilitet në rajon” pa një shtet palestinez.

Zoti Netanyahu dhe Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë thënë se luftimet do të vazhdojnë derisa Hamasi të shkatërrohet dhe argumentoi se vetëm veprimet ushtarake mund të sigurojnë lirimin e pengjeve.

Hamasi kërkon t’i jepet fund luftës përpara se të diskutojë mbi lirimin e pengjeve. Po kështu grupi militant ka kërkuar në këmbim lirimin e mijëra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Ekspertët kanë ngritur pikëpyetje nëse objektivat e zotit Netanyahu janë realiste, duke pasur parasysh ritmin e ngadaltë të ofesivës dhe rritjen e kritikave ndërkombëtare, përfshirë akuzat për gjenocid në Gjykatën Botërore të Kombeve të Bashkuara, të cilat Izraeli i mohon me forcë.

Kundërshtarët e zotit Netanyahu e akuzojnë atë për vonimin e diskutimeve mbi skenarët e pasluftës, si një mënyrë për të shmangur hetimet e mundshme mbi dështimet e qeverisë, për të ruatur të paprekur koalicionin si dhe shtyrjen e zgjedhjeve. Sondazhet tregojnë se popullariteti i zotit Netanyahu, i cili po gjykohet për akuza për korrupsion, ka rënë gjatë luftës.

Zoti Eisenkot, djali i të cilit u vra në dhjetor në Gazë, tha për programin investigativ “Uvda” që u transmetua të enjten në mbrëmje në stacionin televiziv izraelit ‘Channel 12’, se “pengjet do të ktheheshin gjallë vetëm nëse do të kishte një marrëveshje, për një pauzë të konsiderueshme në luftime”. Ai tha se operacionet e mëdha të shpëtimit nuk kanë gjasa t’i lirojnë ata, pasi pengjet me sa duket janë të shpërndarë dhe shumë prej tyre në tunele nëntokësore.

Pretendimi se pengjet mund të lirohet me mjete të tjera përveçse një marrëveshje “është iluzion”, tha ai.

Në një kritikë indirekte ndaj zotit Netanyahu, zoti Eisenkot tha se duhen marrë urgjentisht vendime strategjike për drejtimin që duhet të marrë lufta dhe se diskutimet se si duhet dalë prej saj, duhet të kishin nisur menjëherë me fillimin e luftës.

Ai hodhi poshtë gjithashtu sugjerimet se ushtria i ka dhënë një goditje vendimtare Hamasit.

Zoti Gallant ka thënë se trupat kanë çaktivizuar strukturën komanduese të Hamasit në Gazën veriore, nga ku në fillim të javës u tërhoqën një numër i konsiderueshëm trupash. Vëmendja është përqendruar tani në gjysmën jugore të territorit.

Ne nuk kemi shënuar ende një arritje strategjike, ose më saktë vetëm pjesërisht“, tha zoti Eisenkot. “Nuk e kemi shkatërruar Hamasin”.

Grupi militant vazhdon të luftojë në të gjithë Gazën, madje edhe në zonat më të shkatërruara të rajonit dhe ka lëshuar raketa ndaj Izraelit.

Në intervistën e tij, zoti Eisenkot konfirmoi gjithashtu se gjatë ditëve të para të luftës ishte anuluar në minutën e fundit një sulm parandalues kundër militantëve të Hezbollahut në Liban. Ai tha se ishte në mesin e atyre që debatonin kundër një sulmi të tillë, në një mbledhje të kabinetit më 11 tetor, që ai e përshkroi si mjaft të tensionuar.

Një sulm i tillë do të kishte qenë një “gabim strategjik” dhe me gjasë do të kishte shkaktuar një luftë rajonale, tha zoti Eisenkot.

Ish-shefi i ushtrisë tha se po shqyrton çdo ditë çështjen nëse duhet apo jo të qëndrojë në kabinetin e luftës, i cili përfshin zotin Netanyahun, zotin Gallant dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes Benny Gantz. Zoti Eisenkot është një anëtar i parlamentit i aleancën opozitare të Unitetit Kombëtar që kryesohet nga zoti Gantz. Të dy iu bashkuan zotit Netanyahut për të ndihmuar në drejtimin e luftës.

Unë e di se cila është vija ime e kuqe“, tha zoti Eisenkot kur u pyet se në çfarë pike do të largohej. “Ajo lidhet me pengjet, ky është një nga objektivat, por është i lidhur edhe me mënyrën se si ne duhet ta drejtojmë këtë luftë”, shtoi ai.

Lufta është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme, me grupe të mbështetura nga Irani që sulmojnë objektivat amerikane dhe izraelite. Luftimet mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut në Liban rrezikojnë të shndërohen në luftë të gjerë. Po kështu grupi Houthi me bazë në Jemen që mbështetet nga Irani, i cili është ripërcaktuar së fundmi si organizatë terroriste nga Uashingtoni, vazhdon të sulmojnë anijet ndërkombëtare, pavarësisht sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Të enjten Shtetet e Bashkuara kryen një sulm të pestë kundër rebelëve Houthi edhe pse Presidenti Joe Biden pranoi se bombardimi i militantëve nuk i ka ndaluar ende sulmet e tyre ndaj anijeve në korridorin e rëndësishëm të Detit të Kuq./VOA


Top Channel

You may also like