Çfarë dihet për vaksinat kineze?

Prodhuesit kinezë të vaksinave “Sinovac” dhe “Sinopharm” janë bërë pjesë e skemës globale të ndarjes së vaksinave Covax, e cila synon shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin (Gavi) ka njoftuar se do të vinte në dispozicion 110 milionë doza të vaksinave si pjesë e skemës. Covax ka marrëveshje me prodhuesit e 11 vaksinave dhe planifikon që, deri në fillim të vitit 2022, të sigurojë 2 miliardë doza në të gjithë botën. Si Sinopharm, ashtu edhe Sinovac, të cilat janë aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për përdorim emergjent, tashmë po përdoren në Kinë dhe dhjetëra vende të botës. Por çfarë dimë për vaksinat e Kinës dhe si krahasohen me ato që zhvillohen diku tjetër?

SI FUNKSIONON VAKSINA SINOVAC?

Kompania biofarmaceutike me bazë në Pekin, Sinovac, qëndron pas vaksinës “CoronaVac”. Kjo lloj vaksine funksionon duke përdorur grimca virale jo të gjalla për të ekspozuar sistemin imunitar të trupit ndaj virusit, pa rrezikuar një përgjigje serioze të sëmundjes. Për ta krahasuar, vaksinat Moderna dhe Pfizer janë vaksina të ARN-së. Kjo do të thotë që një pjesë e kodit gjenetik të coronavirus-it injektohet në trup, duke shkaktuar trupin të fillojë të prodhojë proteina virale, për të trajnuar sistemin imunitar që, më vonë, në rast infektimi, të sulmojë virusin. Në letër, një nga avantazhet kryesore të Sinovac-ut është se mund të ruhet në një frigorifer standard në 2-8 gradë Celsius, ndryshe nga vaksina e Moderna-s që duhet të ruhet në -20 gradë Celsius dhe vaksina e Pfizer-it në -70 gradë Celsius. Kjo do të thotë që si, Sinovac ashtu edhe vaksina Oxford-AstraZeneca, janë shumë më të dobishme për vendet në zhvillim, të cilat mund të mos kenë pajisje për të ruajtur sasi të mëdha të vaksinave në temperatura kaq të ulëta.

SA EFEKTIVE ËSHTË VAKSINA SINOVAC?

OBSH njoftoi se studimet treguan se vaksina Sinovac “parandaloi sëmundjen simptomatike në 51% të atyre të vaksinuar dhe parandaloi shtrimin në spital në 100% të popullatës së studiuar”. Sipas një studimi të botuar në New England Journal of Medicine që tregon rezultate nga Kili, Sinovac ka një normë efikasiteti prej 65.9% kundër Covid-19, është 87.5% efektiv në parandalimin e shtrimit në spital dhe 86.3% efektiv në parandalimin e vdekjes. Sidoqoftë, ka pak të dhëna për efektivitetin e saj kundër variantit Delta.

PO SINOPHARM?

OBSH-ja miratoi edhe vaksinën Sinopharm, e cila prodhohet nga një kompani shtetërore kineze. Ashtu si Sinovac, ajo është një vaksinë inaktive, që nxit prodhimin e antitrupave që luftojnë coronavirusin. Pra, virusi vritet para se të injektohet në trupat e njerëzve, kështu që nuk mund ta transmetojë virusin. Në atë kohë, OBSH njoftoi se efikasiteti i vaksinës për sëmundjen simptomatike dhe të shtruar në spital u vlerësua të ishte 79%, për të gjitha grupmoshat. Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, vendi aziatik ka administruar më shumë se një miliard doza të vaksinave për banorët e saj. Përhapja e coronavirus-it në pjesën më të madhe të Kinës është nën kontroll dhe vendi është hapur pothuajse plotësisht.

CILAT VENDE PO ADMINISTROJNË VAKSINAT E KINËS?

Më shumë se 80 vende po përdorin vaksinat COVID-19 të Kinës. Sidoqoftë, edhe pse disa vende që i pranuan dozat kineze kanë norma të larta të vaksinimit, ende po shohin një rritje të numrit të infeksioneve. Për shembull, qeveria në Kili rivendosi një shtetrrethim dhe ktheu kufizimet në udhëtime në përgjigje të variantit Delta, i cili është më i transmetueshëm se variantet e mëparshme. Më shumë se 70% e kilianëve janë vaksinuar plotësisht, shumica me vaksinën Sinovac. Tajlanda ka ndryshuar politikën e saj të vaksinave duke përzier Sinovac-un e Kinës me vaksinën AstraZeneca. Kjo në përpjekje për të rritur mbrojtjen, pasi qindra punonjës mjekësorë u infektuan me coronavirus, pavarësisht se ishin vaksinuar plotësisht me Sinovac. Ndërkohë në Indonezi, shoqata kryesore e mjekëve dhe infermierëve njoftoi se të paktën 30 punonjës të kujdesit shëndetësor vdiqën, pavarësisht se i kishin marrë të dyja dozat e vaksinës Sinovac.

A PO DËSHTOJNË VAKSINAT?

Vaksinat nuk janë faktori i vetëm për të shpjeguar se çfarë po ndodh në këto vende. Një arsye mund të jetë që efikasiteti i vaksinave mund të zbehet ose ato nuk janë aq efektive ndaj varianteve të reja. Pfizer ka njoftuar kohët e fundit që, me qëllim përmirësimin e imunitetit, do të kërkojë autorizim për një dozë të tretë përforcuese në Shtetet e Bashkuara. Por ka edhe faktorë të tjerë për t’u marrë në konsideratë. Në Indonezi, shoqata kryesore e mjekëve tha se sëmundjet shoqëruese mund të kenë luajtur një pjesë në vdekjen e punonjësve të kujdesit shëndetësor. Vendi gjithashtu ka nivele jashtëzakonisht të ulëta të vaksinimit – me pak më shumë se 5% të popullsisë së tij që i kanë marrë të dyja dozat.

SI NDIKOJNË VARIANTET TE VAKSINAT?

Studimet e Sinovac-ut dhe Sinopharm-it, testuan efikasitetin e vaksinave kundër virusit që u gjet për herë të parë në qytetin kinez të Wuhan, por asnjë e dhënë e re nuk është publikuar se si ato funksionojnë kundrejt varianteve. Bazuar në studimet që përpiqen të modelojnë mbrojtjen imune nga virusi, vlerësohet se mbrojtja e ofruar nga vaksinat inaktive kundër variantit Delta mund të jetë 20% më e ulët në krahasim me vaksinat tjera. Llogaritjet sugjerojnë një reduktim edhe më të madh ndaj variantit Beta që u gjet për herë të parë në Afrikën e Jugut, i cili është ai që ndryshon më shumë nga virusi origjinal.

Leave a Reply