Ceferin zbarkon në Tiranë: Duam zgjedhje të ndershme, pa ndërhyrje

by admin
Spread the love

Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s, ka qenë ditën e sotme në Tiranë për të takuar kryeministrin  e vendit, Edi Rama, dhe kreun e FSHF Armand Duka. Kjo vizitë u bë për shkak se Shqipëria është pritëse e finales së Conference League më 25 maj 2022. Në prag të zgjedhjeve në FSHF ka pasur edhe akuza e kundër-akuza të shumta, ku nuk ka mbetur pa u përfshirë edhe politika.

UEFA e ndalon rreptësisht diçka tillë dhe Ceferin është shprehur se ka marrë garancinë e kryeministrit Rama që nuk do të ketë ndërhyrje, ndërkohë që nga ana tjetër kërkon zgjedhje të ndershme. Kreu i UEFA-s ka folur qartazi për “Associated Press”

“Erdha sot për të vizituar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për të takuar z. Armand Duka, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në parim UEFA nuk ndërhyn në proceset zgjedhore, por ne duam zgjedhje të ndershme dhe nuk duam asnjë ndërhyrje nga palë të tjera. Pata gjithashtu një takim me Kryeministrin Rama sot, ne ishim të pak të shqetësuar për situatën sipas raportimeve që kemi lexuar në media.

Jam i kënaqur që ramë dakord me Kryeministrin, që futbolli duhet të vendosë për futbollin. UEFA do të japë të gjithë mbështetjen e saj, do të sjellë përfaqësues këtu për të verifikuar korrektesën e zgjedhjeve dhe sigurisht që të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë jashtë futbollit.

Gjëja më e rëndësishme këtu është që kjo situatë nuk e ndihmon futbollin shqiptar. Duhet të ketë qetësi, ne jemi gati të ndihmojmë që çdo gjë të jetë e qetë, çdo gjë duhet të jetë transparente dhe me qeverisje të mirë. Nuk dua të hyj në deklaratat e askujt që vijnë nga aktorë lokalë.

Pasi kemi lexuar artikujt në media ne ishim pak të shqetësuar për finalen e UECL, por fola me Presidentin e FSHF-së dhe me Kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam.

Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces. Nëse gjërat do të jenë kështu dhe unë kam shumë besim në fjalët e Kryeministrit, atëherë zhvillimi i finales së Conference League këtu është i sigurt. Tani do të shohim përpara, sepse është finalja e parë e UEFA Europa Conference League në histori”, ka thënë Ceferin.

Deri më tani ka zyrtarizuar kandidaturën gazetari Dritan Shakohoxha. Presidenti aktual, Armand Duka, ende nuk ka mbajtur një qëndrim, edhe pse Shoqatat Rajonale të Futbollit në Gjirokastër dhe Korçë e kanë propozuar atë për kandidat për president. / oversport.tv

You may also like