Cana “driblon” Edi Rejën: Kombëtarja duhet të luajë për 2 fitore

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Lorik Cana mendon dhe beson se Kombëtarja shqiptare duhet të synojë patjetër dy fitore në dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Ish-kapiteni i kuqezinjve thotë se kjo gjë nuk është e pamundur dhe thotë se gjithçka mund të ndodhë kundër Izraelit dhe Islandës. Në një prononcim për Oversport, 39-vjeçari sheh optimizëm në prag të këtyre dueleve.

“Ka akoma edhe dy ndeshje zyrtare dhe duhet të shkojmë për dy fitore. Nuk është e pamundur, kështu që kam shumë besim për ta.”

Ai nuk kërkon të dalë në përfundime përpara sesa kuqezinjtë t’i luajnë këto dy ndeshje, por e pranon që pritshmëritë përpara zhvillimit të këtij edicioni ishin shumë të larta duke qenë se Rusia nuk ishte pjesë e grupit dhe Kombëtarja shqiptare shihej si një favorite për të marrë vendin e parë.

“Nuk mund të quhet dështim, por pritshmëria ishte që të shkonim për vendin e parë, duke marrë parasysh që Rusia nuk merr pjesë. Gjithsesi ka ende dy ndeshje për t’u zhvilluar dhe nuk mund të mendojmë më larg se kaq. Është një projekt që po rritet. Ka djem të rinj këtu që po vijnë dhe duhet t’i japim besim.”

Në fund, lojtari me më shumë prezenca me fanellën kuqezi, nuk dëshiron që të shprehë mendimin për vazhdimësinë e trajnerit Edi Reja. Edhe pse driblimi nuk ka qenë arma më e mirë e tij në fushën e lojës, përpara mikrofonit tonë e bën mjaft mirë këtë gjë.

“Nuk është puna ime, nuk është detyrimi im ai”, tha kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. /oversport.tv

You may also like