Bushi: Miqësoret vlejnë për të formuar grupin e ri, ka disa talente gati për Kombëtaren A

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Edhe Kombëtarja U-20 vijon me përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kroacisë U-20 dhe Maqedonisë së Veriut U-20, që do të luhen që të dyja në Kroaci. Trajneri Alban Bushi ka ftuar 26 lojtarë, ku spikasin edhe lojtarë që janë shumë të rinj se ky brez e të cilët paraqesin alternativa mjaft të vlefshme për të ardhmen.

Në një konferencë për median nga grumbullimit, trajneri Bushi ka folur për procesin e rinovimit të grupit dhe për prurjet e reja që kanë ngjallur interes pasi bëhet fjalë për disa lojtarë të talentuar e që paraqesin potencial për të ardhmen. Për Bushin, këto dy miqësore janë të rëndësishme për të parë në aksion pikërisht lojtarët e rinj, sigurisht pa lënë mënjanë edhe objektivin për të marrë rezultatet pozitive që do të kishin një efekt mjaft të mirë në moralin e ekipit. Gjithashtu, tekniku kuqezi theksoi edhe objektivin kryesor që është furnizimi i Kombëtares A me elementë të spikatur.

Më datë 23 shtator, Shqipëria U-20 do të luajë sfidën e parë me Maqedoninë e Veriut U-20. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Cakovecit duke nisur nga ora 16:30. Dy ditë më pas, më datë 25 shtator në ora 16:30, po në këtë stadium do të luhet edhe testi i dytë i Shqipërisë U-20 ndaj Kroacisë U-20.

Më poshtë edhe deklarata e plotë e trajnerit Alban Bushi në konferencën e sotme për median:

Rinovimi i grupit – “Ne kemi një grup komplet të ri këtë sezon, pothuajse 90 % i ekipit është i rinovuar këtë edicion. Nuk është se i njohim shumë mirë lojtarët, ndonëse i kemi ndjekur qoftë online qoftë edhe duke qenë të pranishëm në stadium për t’i parë në ndeshje, por mendoj që kemi një grup shumë mirë e cilësor me lojtarë të rinj. Kemi edhe lojtarë të vitlindjes 2005, që nuk janë të brezit 2002 që ka kjo skuadër, dhe mendoj se do të bëjmë një sezon të mirë dhe një ekip shumë të mirë. Kemi edhe ndonjë problem të vogël në disa reparte, që i kemi dhe urgjente, sidomos në mbrojtje por mendoj që kemi kohë dhe mendoj që këto miqësore na shërbejnë shumë për të parë se cilët lojtarë do të na vlejnë për të ardhmen”.

Sa vlejnë miqësoret – “Miqësoret na vlejnë shumë, ndërsa kundërshtarët nuk është se i njohim shumë mirë, pasi edhe ata kanë rinovuar grupet përkatëse, ashtu siç kemi bërë edhe ne, por njohim trajnerët e tyre dhe filozofinë e lojës që kanë si Kroacia ashtu edhe Maqedonia e Veriut. Për ne është e rëndësishme për të testuar lojtarët tanë se si do të sillen në fushë e që mund t’i kemi për të ardhme, sigurisht pa lënë mënjanë rezultatin pasi duam gjithmonë të fitojmë ndonëse misioni ynë është të përgatisim lojtarë për Kombëtaren A siç kemi prodhuar shumë elementë deri më tani. Pra, rezultati pozitiv na bën shumë punë pasi na jep moral për të ardhmen”.

Lojtarët nga Kosova – Unë kam marrë lojtarë shqiptarë, jo lojtarë të Kosovës. Unë mendoj se si Kosova si Shqipëria është njësoj dhe çdokush që flet shqip sot në botë dhe është lojtar cilësor, ne jemi të detyruar për ta ftuar në ekipin kombëtar. Pastaj është në dorë të lojtarit, nëse zgjedh Kosovën apo Shqipërinë. Bëhet fjalë për dy lojtarë siç janë Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha, të cilët kanë qenë pjesë e Kosovës sezonin e kaluar, por para se të shkonin te Kosova kanë pjesë edhe ekipeve të moshave të Shqipërisë, por për arsye të procedurave të tejzgjatura në pajisjen me pasaportë shqiptare ata luajtën me Kosovën dhe tani kanë zgjedhur të luajnë me Shqipërinë. Kështu që nuk shoh ndonjë problem të madh. Ka pasur edhe lojtarë të cilët kanë luajtur me Shqipërinë dhe tani përfaqësojnë Kosovën dhe lojtarë të Kosovës dikur që tani luajnë me Shqipërinë, kështu që nuk shoh asnjë lloj problemi në këtë aspekt. Më duket pak e habitshme kur dëgjoj për polemika pasi të gjithë flasin shqip dhe të gjithë duan të përfaqësojnë flamurin kuqezi.

Kalimi i Toçit të Kombëtarja A – Toçi është një nga lojtarët po themi të vjetër që kemi pasur edhe sezonin e kaluar, lojtar shumë cilësor i vitlindjes 2003, shumë i fortë dhe do t’i shërbejë Shqipërisë në të adhmen siç i kanë shërbyer edhe lojtarët e tjerë. Trajneri Reja e ka marrë në Kombëtaren A për këtë ndeshje dhe në fakt nuk është se na prish punë në planet tona, pasi ne kemi përpara ndeshje miqësore dhe duam më shumë të shohim lojtarë të rinj që kemi në ekip, pasi Eljon Toçin e njohim. Mendoj që do të bëjë paraqitje të mira, është një nga ata lojtarë të cilët kanë vlera dhe do të bëjë një rrugë të gjatë me kombëtaren për shumë vite, siç kanë bërë edhe lojtarë tjerë si Broja apo Manaj, të cilët kanë kaluar nga Kombëtarja U-21 në ekipin e parë. Por nuk është vetëm ai, pasi janë edhe Mitaj e Bajrami të cilët janë pjesë e Kombëtares A dhe vijnë nga Kombëtarja U-21 e besoj se do të jenë në lartësinë e duhur. Unë do të veçoja një të ri, të cilin e kemi marrë këtë radha nga Anderlehti U-18, që quhet Behar Ismaili dhe mendoj që është një lojtar vërtetë i talentuar. Është goxha më i ri se lojtarët e tjerë të grupit, por kam bindjen se është gati për Kombëtaren U-21, madje edhe për Kombëtaren A mund të bëjë mirë. Dhe nuk është vetëm ai, por janë edhe 2-3 të tjerë që shumë shpejt do të kalojnë nga U-21 në Kombëtaren A.

Katapultimi i Ismailit – “Ne kemi marrë shumë lojtarë, strategjia e Federatës është kjo: kush është talent i duhet dhënë dora pak më shpejt se të tjerët për të ngjitur shkallët pak më shpejt se të tjerët, por si logjikë duhet t’i kalojë shkallët një nga një. Me këta që i kanë kaluar shkallët më shpejt ne nuk kemi gabuar në fakt si Drejtori e Ekipeve Kombëtare siç është rasti i Kumbullës, që ishte më i vogël dhe pas 3 ndeshjesh tek U-21 kaloi tek ekipi A ku është vendimtar. Kemi rastin e Brojës, që unë e kam marrë shumë të vogël dhe pas dy ndeshjeve me U-21 kaloi në ekipin A. Shpresoj që edhe Behar Ismaili të ndjekë të njëjtën rrugë”.

Edicioni i ri me U-21 – “Patjetër që ne, gjatë gjithë kohës, përmirësohemi dhe marrim më shumë eksperiencë dhe arrijmë t’i bëjmë gjërat ndryshe, shpikim diçka ndryshe në atë librin tonë, po gjithsesi objektivi është Kombëtarja A dhe unë mendoj që po të mos kishte qenë për lojtarët e larguar për te Kombëtarja A ne do të kishim pasur shumë sukses me U-21. Por gjithsesi jemi të kënaqur, ekipi A na ka marrë shumë lojtarë vitet e fundit dhe kjo nuk ka lejuar të bëjmë hapin e madh të kualifikimit, pasi kemi i kemi shkuar shumë afër faktikisht. Sidoqoftë, jemi të lumtur për lojtarët që kanë kaluar në skuadrën e parë, pasi do të kemi një Kombëtare A shumë kompetitive në vitet e ardhshme dhe po të shikosh moshën e Kombëtares A ka një mesatare 23 vjeç dhe kjo është një siguri shumë e madhe për Shqipërinë”.

You may also like