BRUKSEL – Von der Leyen: Marrëveshja Shqipëri-Itali për migrantët një iniciativë e rëndësishme

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 15 dhjetor /ATSH/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen miratoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për migrantët e kapur në det dhe të transferuar atje nga autoritetet italiane, sipas AP.

Në një letër drejtuar liderëve të BE-së, të cilët u takuan dje Bruksel, Der Leyen e vlerësoi këtë fakt si një “iniciativë e rëndësishme” për kufizimin e migracionit nga disa prej 27 vendeve anëtare të bllokut, përfshirë “marrëveshjen operacionale midis Italisë dhe Shqipërisë”.

“Ky shërben si një shembull i të menduarit jashtë kornizës, bazuar në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, shkruan Von der Leyen, në një letër që përshkruan përparimin e bërë për ndalimin dhe ardhjen e njerëzve pa autorizim.

Sipas marrëveshjes pesëvjeçare të shpallur muajin e kaluar, Shqipëria do të strehojë deri në 36 000 emigrantë për një vit ose rreth 3 000 në muaj, të cilët përpiqen të arrijnë në Itali pa dokumentacion të duhur, kryesisht në udhëtime të rrezikshme detare.

Ai do të përfshinte njerëz të shpëtuar ose të kapur nga marina italiane në ujërat ndërkombëtare.

Ata migrantë të kapur në ujërat territoriale të Italisë do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së për të aplikuar për azil në Itali dhe gjithashtu do të shqyrtohen kërkesat e tyre atje.

Shqipëria do t’i strehojë migrantët në dy objekte, ndërsa Italia do të përshpejtojë kërkesat e tyre për azil.

Italia do të mbetet ligjërisht përgjegjëse për migrantët gjatë gjithë procesit.

Do t’i mirëpresë ata nëse do t’u jepet mbrojtje ndërkombëtare ose do të organizojë dëbimin e tyre nga Shqipëria nëse refuzohen.

Në letrën e saj, Von der Leyen vuri në dukje se komisioni ka dhënë 473 milionë euro (516 milionë dollarë) për të ndihmuar në forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së, veçanërisht në rritjen e mbikëqyrjes së kufirit tokësor, përfshirë pajisjet e monitorimit elektronik dhe sistemet e reja kompjuterike.

”Investime të ngjashme nevojiten për pajisjet e mbikëqyrjes kufitare për kufijtë detarë pasi mbikëqyrja ajrore para kufitare është thelbësore për të parandaluar mbërritjet e parregullta dhe humbjet e jetëve në det”, shkruan ajo.

Von der Leyen vuri në dukje se komisioni është “i gatshëm të vazhdojë të sigurojë financim të qëndrueshëm për këto iniciativa të rëndësishme”.

Pasi mbi një milion migrantë hynë në BE në vitin 2015, BE-ja arriti një marrëveshje me Turqinë, duke përfshirë miliarda euro ndihmë për refugjatët sirianë në territorin e saj, bisedime të shpejta për anëtarësim dhe stimuj për viza, për të bindur presidentin Recep Tayyip Erdogan për të parandaluar njerëz nga largimi për në Evropë.

Pavarësisht kostove dhe prishjes përfundimtare të marrëveshjes, ajo reduktoi shpejt mbërritjet e emigrantëve nga Turqia në një ndalesë virtuale. E inkurajuar nga rezultatet, BE-ja ka vazhduar të punojë në marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera nga të cilat migrantët largohen ose kalojnë tranzit për të arritur në Evropë.

”Agjencitë e BE-së kanë vazhduar të zgjerojnë gjurmët e tyre në Afrikën e Veriut, duke ndërtuar marrëdhënie me Tunizinë, Egjiptin dhe Marokun”, tha Von der Leyen në letrën e saj.

Von der Leyen tha gjithashtu se komisioni ka vazhduar “të shumëfishojë dhe thellojë partneritetet e migracionit” gjatë vitit 2023, duke përfshirë Bangladeshin, Irakun, Nigerinë dhe Pakistanin./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like