BRUKSEL – Samit BE-BP për të ardhmen e rajonit në bllok

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 13 dhjetor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen sot me homologët e tyre të Bashkimit Evropian në Bruksel për të vlerësuar marrëdhëniet e tyre të ngushta, por të ndërlikuara.

Temat në axhendë përfshijnë perspektivat e anëtarësimit në BE, sanksionet e bllokut ndaj Rusisë dhe bashkëpunimin ekonomik.

Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë ambicie për t’u anëtarësuar në BE, por përballen me procedura të gjata dhe të përpikta të anëtarësimit.

Mali i Zi, i konsideruar si kryesuesi, filloi bisedimet në vitin 2012, i ndjekur nga Serbia në 2014.

Megjithatë, të dyja vendet janë larg nga përafrimi i plotë i ligjeve dhe standardeve të tyre me normat e BE-së.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën bisedimet e pranimit vitin e kaluar, më shumë se një dekadë pasi kishin aplikuar për anëtarësim.

Bosnja mund të shpresojë të arrijë më vonë këtë javë, kur liderët e BE-së mund të vendosin në një samit të veçantë për të hapur bisedimet e pranimit me vendin – së bashku me Ukrainën dhe Moldavinë.

Afrimi i Kosovës pengohet nga fakti se disa vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e saj pas shkëputjes së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.

Udhëheqësit e BE-së pritet gjithashtu të rrisin sanksionet e bllokut ndaj Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, pasi Serbia nuk ka miratuar ende masa ndëshkuese kundër Moskës.

Tensionet e rritura midis Serbisë dhe Kosovës do të diskutohen gjithashtu nga liderët, si dhe migrimi i parregullt përmes rajonit drejt BE-së.

Krahas marrëdhënieve politike, liderët do të diskutojnë gjithashtu lidhjet ekonomike dhe investimet në infrastrukturë si rrugët, hekurudhat, interneti dhe rrjetet elektrike.

Një fond i propozuar me vlerë deri në 6 miliardë euro (6.5 miliardë dollarë) megjithatë është përfshirë në një debat të brendshëm të BE-së mbi rishikimin e buxhetit të përbashkët të bllokut./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like