BRUKSEL – Krerët e shteteve lindore të NATO-s kundërshtojnë aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 2 tetor /ATSH-PAP/- Krerët e vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore në një deklaratë të përbashkët kanë shprehur mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës dhe kanë dënuar përpjekjet e Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase.

Deklarata është nënshkruar nga presidentët e Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.

“Ne përsërisim mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne nuk i njohim dhe nuk do t’i njohim kurrë përpjekjet ruse për të aneksuar territoret ukrainase”, shkruhet në deklaratë.

Krerët e shteteve e quajtën pushtimin rus të Ukrainës një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe kërkuan që Rusia të tërhiqej menjëherë nga të gjitha territoret e pushtuara ukrainase.

Ata gjithashtu nxitën të gjithë aleatët që të rrisin ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën.

“Të gjithë ata që kryejnë krime agresioni duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të vendosen përpara drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi të premten zyrtarisht aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës: Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia duke cituar rezultatet e referendumeve të kryera nga rusët në territoret e pushtuara më 23-27 shtator, të cilat Perëndimi i ka hedhur poshtë duke i konsideruar te rreme.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like