BRUKSEL – Debati për kufirin e çmimit të gazit ndan liderët e BE-së

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

BRUKSEL, 20 tetor /ATSH-DPA/-Liderët e Bashkimit Evropian nuk kanë rënë ende dakord rreth mënyrës se si do të trajtohen çmimet e larta të gazit, ndërsa filluan një samit dyditor në Bruksel.

Pasi shumica e vendeve të BE-së kërkuan në mënyrë të përsëritur vendosjen e një kufiri të çmimit të gazit, përfundimisht Komisioni Evropian propozoi që çmimet me shumicë të gazit të kufizoheshin, si mjeti i fundit në rast se çmimet në BE do të arrinin nivele ekstreme.

Gjermania dhe disa vende të tjera anëtare janë skeptike ndaj masave që do të ndërhyjnë në çmimin e gazit për shkak të shqetësimeve se çmimet e ulëta të gazit do të rrezikonin sigurinë e furnizimeve ose do të rrisnin konsumin.

“Sigurisht, ne duhet të sigurohemi përpara se të marrim një vendim që mund të funksionojë”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz ndërsa mbërriti në takim.

“Askush nuk dëshiron të marrë vendime që janë të mira në teori, por më pas rrezikohet të mos ketë me gaz”, tha ai.

Kryeministri holandez, Mark Rutte i bëri jehonë shqetësimeve të Scholz.

Kryeministri hungarez, Victor Orban, vendi i të cilit është shumë i varur nga importet e gazit rus, shkroi në Twitter se plani i komisionit do të ishte i barabartë me një embargo të gazit ndaj Hungarisë. “Vetëvrasja ekonomike nuk do ta ndihmojë Ukrainën”, shtoi ai.

Liderët në mbështetje të masave për çmimin e gazit patën një ton më pajtues kur mbërritën në Bruksel.

“Masat e propozuara nga komisioni po çojnë në një ulje të çmimit të gazit sepse efekti i sinjalit ka ulur çmimet”, tha kryeministri belg Alexander De Croo.

“Tani çmimet duhet të vazhdojnë të bien dhe ne duhet të kemi instrumentet për të parandaluar që çmimet të rriten sërish”, shtoi ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se do të punonte së bashku me Scholz për të gjetur një zgjidhje për problemet e çmimit të gazit në Evropë.

“Unë mendoj se nuk është mirë as për Gjermaninë dhe as për Evropën, nëse Gjermania izolohet”, tha Macron, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së unitetit.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like