BRUKSEL – Borrell: Beogradi dhe Prishtina të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

BRUKSEL, 7 nëntor /ATSH/-Zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur në kuadër të Dialogut Beograd-Prishtinë. U bëra thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell në Twitter.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

“Bashkimi Evropian u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve serb të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, sipas deklaratës.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja u kërkon sërish autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, thuhet në deklaratën e BE-së.

“BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Komuniteti duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e ligjit të së drejtës dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, sipas deklaratës.

“Është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin. Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim nga komuniteti ndërkombëtar. BE-ja u kërkon palëve të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim. BE-ja është e gatshme të vazhdojë të lehtësojë negociatat, por të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në Dialog”, thuhet në deklaratën e BE-së.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like