BRUKSEL – BE miraton marrëveshjen e reformës së azilit

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 8 shkurt /ATSH-DPA/- Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së i dhanë dritën jeshile një marrëveshjeje për të forcuar ligjet e bllokut për azilin dhe migracionin, të arritur vitin e kaluar.

Sipas sistemit të ri, shpërndarja e migrantëve që kërkojnë mbrojtje mes 27 vendeve anëtare të bllokut po riorganizohet sipas një grupi të ri rregullash i quajtur mekanizmi i  solidaritetit.

Nëse një vend i BE-së nuk dëshiron të pranojë refugjatë, atyre u kërkohet të ofrojnë mbështetje në një formë tjetër, për shembull përmes kompensimit financiar.

Rishikimi i regjimit të migracionit të Bashkimit Evropian ka qenë objekt i një pune intensive dhe i një debati të ashpër që nga viti 2015 kur një numër rekord i migrantëve mbërritën në Bashkimin Evropian.

Në dhjetor, Spanja, duke vepruar në emër të vendeve anëtare të BE-së, ra dakord për një kompromis me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian për rivendosjen e ligjeve të BE-së për migracionin dhe azilin.

Marrëveshja mbulon një grup kompleks projektreformash ligjore që synojnë të reduktojnë migracionin e paligjshëm në BE.

Gjithashtu përpunon rregullat që rregullojnë përgjegjësitë e shteteve anëtare ndaj migrantëve që mbërrijnë në kufijtë e tyre dhe kërkojnë azil.

Megjithatë, marrëveshja ka ende nevojë për miratimin përfundimtar të ministrave dhe ligjvënësve të BE-së për ta zbatuar atë në ligj.

Ky proces është zakonisht një formalitet, megjithëse reforma e migracionit ka rezultuar kryesisht e diskutueshme, duke vënë përballë konservatorët që duan kontrolle më të rrepta kundër atyre që duan të krijojnë më shumë rrugë ligjore drejt BE-së.

Marrëveshja midis përfaqësuesve të BE-së e sjell miratimin përfundimtar një hap më afër, ndërsa Parlamenti Evropian pritet të votojë deri në fund të prillit.

Votimi përfundimtar do të jetë mes ministrave të BE-së. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like