BRUKSEL – BE dënon sulmin ndaj institucioneve demokratike në Brazil

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 11 janar /ATSH-DPA/- Në emër të vendeve të BE-së, kryediplomati i bllokut, Josep Borrell dënoi në një deklaratë, sulmin ndaj institucioneve politike në kryeqytetin brazilian, Brasília.

“Bashkimi Evropian dënon me vendosmëri këto akte tronditëse të dhunës politike dhe sulmin e papranueshëm kundër demokracisë që ato përfaqësojnë”, thuhet në deklaratë.

“Ne shprehim solidaritetin tonë me presidentin Lula dhe institucionet braziliane në mbrojtjen e demokracisë dhe mbështesim masat e miratuara për të rivendosur rendin dhe respektimin e ligjit të së drejtës”, tha Borrell.

Disa ditë pas ardhjes në detyrë të presidentit brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, i njohur zakonisht si Lula, mijëra protestues sulmuan të dielën Kongresin, Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial të Brazilit.

Pas arrestimit të qindra rebelëve të dyshuar, policia braziliane spastroi një kamp proteste, duke dërguar rreth 1500 persona në paraburgim të përkohshëm dhe Gjykata e Lartë e Brazilit largoi përkohësisht guvernatorin e Brasílias.

“Dallimet politike nuk mund të justifikojnë aktet kriminale apo të vënë në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve demokratike”, thuhet në deklaratë.

“BE-ja është e përkushtuar të punojë me qeverinë e sapoformuar në Brazil dhe dëshiron të thellojë marrëdhëniet e saj me vendin”, thuhet në njoftimin për shtyp.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like