BRUKSEL – Aleatët e NATO-s rrisin mbështetjen për Ukrainën

by admin
Spread the love

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/- Aleatët e NATO-s po rrisin mbështetjen e tyre politike dhe praktike për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon të mbrohet kundër pushtimit rus në shkallë të gjerë. Mijëra armë antitank, qindra raketa të mbrojtjes ajrore dhe mijëra armë të vogla dhe municione po dërgohen në Ukrainë. Aleatët po ofrojnë gjithashtu ndihmë financiare dhe humanitare në vlerën e miliona eurove, duke përfshirë furnizime mjekësore për të ndihmuar forcat ukrainase, sipas nato.int.

Belgjika, Kanadaja, Republika Çeke, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Letonia, Lituania, Holanda, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë dërguar ose janë duke miratuar dërgesa të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake në Ukrainë. Ukraina ka marrë tashmë armë të rrezikshme, duke përfshirë raketa Javelin dhe raketa kundërajrore, nga aleatët e NATO-s, si dhe miliona euro ndihmë financiare. Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Hungaria, Islanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara po ofrojnë ndihmë humanitare ose po hapin kufijtë e tyre për refugjatët ukrainas. Kroacia, Polonia dhe Rumania tashmë po mirëpresin refugjatët ukrainas. Italia po ofron gjithashtu ndihmë të menjëhershme financiare për qeverinë ukrainase dhe Turqia ka thelluar lidhjet e saj të mbrojtjes me Ukrainën dhe ka ofruar ndihmë humanitare.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se e mirëpret mbështetjen në rritje të aleatëve për Ukrainën, përmes pajisjeve shtesë ushtarake, ndihmave financiare dhe humanitare. Vetë-mbrojtja është një e drejtë e sanksionuar në Kartën e OKB-së dhe aleatët po e ndihmojnë Ukrainën ta mbajë këtë të drejtë. Kjo dërgon një mesazh të qartë të mbështetjes së plotë të NATO-s për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Këto kontribute shtesë bazohen në ndihmën shumëvjeçare të NATO-s për Ukrainën. NATO ka ndihmuar në trajnimin, financimin dhe reformimin e forcave të armatosura dhe institucioneve të mbrojtjes të Ukrainës që nga viti 2014. Në krizën aktuale, Aleanca po ndihmon në koordinimin e kërkesave të Ukrainës për ndihmë dhe po mbështet aleatët në dhënien e ndihmës humanitare dhe jovdekjeprurëse. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like