Brazili nuk gabon në debutim, dygolëshi i Richarlison mjafton ndaj Serbisë

by admin
Spread the love

Falë një super Richarlison, Brazili nuk gabon dhe e nis në mënyrën e duhur Kupën e Botës që zhvillohet në Katar. Seleçao triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Serbisë falë dygolëshit të realizuar nga Richarlison i cili i jep tre pikët Brazilit në përballjen e parë.

Një ndeshje që flet kryesisht për Brazilin që merr menjëherë kontrollin e lojës dhe nuk lëshon shumë terren. Në pjesën e parë amerikano-latinët prodhojnë disa raste të mira shënimi, por nuk tregohen shumë të qartë përpara portës. Raphinha shpërdoron mundësinë më të mirë të pjesës së parë që ka gjithë kohën për të goditur i qetë, por nxitohet dhe topi shkon lehtë në duart e Milinkovic-Savic.

Pjesa e dytë megjithatë niset me një marsh më shumë nga Brazili që fillimisht godet shtyllën nga distanca me Alex Sandro. Më pas Seleçao gjen edhe golin e parë në minutën e 62. Vinicius godet bukur nga e majta, por portieri i Serbisë devijon topin drejt këmbëve të Richarlison që me portën e boshatisur e ka të lehtë t’i çojë shifrat në 1-0.

Provon të reagojë Serbia që lë disa hapësira prapa dhe që shfrytëzohen mjaft mirë nga Brazili. Është sërish Vinicius që nga e majta pason mirë në zonë për Richarlison që nxjerr nga repertori i tij një goditje akrobatike dhe fikson rezultatin në 2-0 falë një supergoli.

Brazili hidhet sërish në sulm për golin e tretë, por Serbisë i vjen edhe njëherë në ndihmë shtylla pas një goditjeje të bukur të Casemiros. Tregohet i vëmendshëm edhe Vanja Milinkovic-Savic që pret disa goditje radhazi nga brazilianët.

Në fund sfida përfundon me rezultatin 2-0 dhe Brazili merr menjëherë kryesimin e grupit G me 3 pikë, po aq sa Zvicra, por me një golavarazh më të mirë për momentin. Brazili do të ndeshet në sfidën e radhës pikërisht me Zvicrën në një sfidë që do të tregojë shumë për fatet e këtij grupi. /oversport.tv

Foto: FIFA World Cup, Twitter

You may also like