Botërori në Tibo: Zvicër-Serbi kryefjala e mbrëmjes, në fushë edhe Brazili e Portugalia

by admin
Spread the love

Do të luhen sot katër sfidat e fundit të grupeve të cilat do të plotësojnë edhe panoramën finale për fazën e 1/8. Fjalën e fundit do ta thonë grupet G dhe H ku po luhet për dy vendet e fundit vakante, pasi Portugalia dhe Brazili tashmë janë kualifikuar për fazën tjetër.

Në orën 16:00 do të luhen dy sfidat e grupit H ku Portugalia do të përballet me Korenë e Jugut, ndërsa Gana do të përplasë brirët me Uruguain. Portugalia e cila e ka të sigurt kalimin në fazën tjetër do të mjaftohej vetëm me një pikë për ta mbyllur si kryesuese e grupit dhe për të evituar ndonjë surprizë të mundshme.

Ndërkohë që Gana kërkon të marrë hak për atë eliminim që Uruguai i bëri 12 vite më parë, pas prekjes së topit me dorë nga Luis Suarez. Nga ana tjetër fitore me ngulm kërkon edhe Uruguai që rast tre pikëshi në këtë sfidë dhe një humbje të Koresë së Jugut do të kalonte në fazën tjetër.

Dy sfidat e grupit G ndërkohë do të luhen në orën 20:00. Brazili i cili ka siguruar kualifikimin, kërkon ta mbyllë në vend të parë dhe ndaj Kamerunit do të mjaftonte edhe një barazim duke marrë parasysh se në ekip pritet të ketë një rotacion të madh për këtë sfidë. Shpreson nga ana tjetër Kameruni të sjellë një tjetër surprizë në këtë Kupë Bote për aq kohë sa matematika e mban në lojë.

Sfida tjetër është ajo që do të ketë vëmendjen më të madhe, pasi Zvicra do të ndeshet me Serbinë, në një sfidë që katër vite më parë, në Botërorin e Rusisë shkoi përtejë një ndeshjeje futbolli. Zvicra e vendit të dytë me tre pikë, kërkon fitoren për të siguruar kualifikimin, por përballë ka një Serbi që të paktën me emrat në ekip është e frikshme. Edhe Serbia është gjithashtu ende në lojë matematikisht pavarësisht se pozicionohet në vendin e fundit në grupin G.

Të gjitha sfidat do të keni mundësi t’i ndiqni live përmes platformës Tibo. /oversport.tv

Foto: fifa.com

You may also like