Botërori në Tibo: Sfidë vendimtare për Argjentinën, Franca synon kualifikimin

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Skuadrat e grupeve C dhe D do të zbresin në fushë në ditën e 7-të të Botërorit për të zhvilluar ndeshjet e dyta në grupe. Një ndeshje vendimtare e pret Argjentinën, ndërsa Franca synon një tjetër fitore që ti afrohet kualifikimit në turin tjetër.

Botërori në plaftormën Tibo do të startojë në orën 11:00 me sfidën Tunizi-Australi. Afrikanët barazuan në debutim përballë Danimarkës dhe sot do të synojnë tre pikët që do të afronin një kualifikim të mundshëm në turin tjetër të turneut. Australianët kërkojnë të lënë pas disfatën përballë Francës, duke synuar pikët e para në Katar 2022.

Në orën 14:00 do të luhet takimi Poloni-Arabi Saudite. Polakët kërkojnë suksesin e parë në Botëror, pas barazimit pa gola përballë Meksikës në ndeshjen e parë të grupit C. Arabia Saudite dhuroi surprizën më të madhe të këtij Botërori, pasi mposhti me përmbysje Argjentinën në ndeshjen e parë të grupit. Sauditët synojnë një tjetër sukses në sfidën e sotme, që të sigurojnë një vend në fazën tjetër të turneut.

Në orën 17:00 do të luhet takimi Francë-Danimarkë. Pas suksesit 4-1 përballë Australisë në debutim, kampionët në fuqi të Botës synojnë një tjetër sukses, që të kualifikohen në turin tjetër. Danezët zhgënjyen në ndeshjen hapëse ndaj Tunizisë dhe sot do të mundohen të marrin suksesin e parë në Katar 2022. Dy skuadrat ishin në të njëjtin grup në edicionin e fundit të Nations League dhe Danimarka arriti që të mposhtë “gjelat” në të dyja sfidat e luajtura (2-0 në shtëpi dhe 2-1 në transfertë).

Dita e sotme do të mbyllet me takimin Argjentinë-Meksikë që do të luhet në orën 20:00. Amerikano-jugorët pësuan një humbje të papritur ndaj Arabisë Saudite në debutim dhe sot synojnë që të bëjnë kthesën e madhe, që të evitojnë një eliminim të parakohshëm nga Botërori. Meksika është një kundërshtar i fortë, por Argjentina ka një bilanc të mirë përballë rivalëve, pasi nuk ka humbur asnjë nga 10 ndeshjet e fundit ndaj tyre (8 fitore dhe 2 barazime). Humbja e fundit e Argjentinës përballë meksikanëve ka ndodhur në vitin 2004.

Të 4 sfidat e ditës së sotme të Botërorit Katar 2022 mund ti ndiqni në platformën Tibo. / Oversport.tv

You may also like