Botërori në Tibo: 4 sfida edhe ditën e sotme, spikat finalja e parakohshme Spanjë-Gjermani

by admin
Spread the love

Dita e 8-të e Botërorit do të sjellë 4 takime të tjera të Kupës së Botës në ekranin e platformës Tibo. Skuadrat e grupeve E dhe F do të zbresin në fushë për të luajtur ndeshjet e dyta në grupe dhe menjëherë shorti rezervon një finale të parakohshme, supersfidën Spanjë-Gjermani, rezultati i së cilës mund të jetë vendimtar për ecurinë e gjermanëve në këtë eveniment.

E diela do të nisë me ndeshjen Japoni-Kosta Rikë, që do të luhet në orën 11:00. Pas suksesit surprizë përballë Gjermanisë, japonezët kërkojnë një tjetër fitore, që ti afrohen kualifikimit në turin tjetër të Botërorit. Kosta Rika kërkon të harrojë disfatën e thellë përballë Spanjës, duke synuar pikët e para në Katar 2022 në sfidën e sotme.

Belgjikë-Marok është ndeshja e dytë e ditës, që do të luhet në orën 14:00. Ndonëse vuajtën përballë Kanadasë, “djajtë e kuq” arritën që të merrnin tre pikë të arta në debutim dhe sot synojnë një tjetër fitore, që ti afrohen kualifikimit. Maroku ndali Kroacinë në një barazim pa gola në sfidën e parë të grupit F. Afrikanët do të synojnë një tjetër surprizë përballë belgëve.

Në orën 17:00 do të luhet ndeshja Kroaci-Kanada. Të dyja skuadrat nuk kanë provuar akoma shijen e fitores dhe sot do të mundohen të marrin tre pikët që të mbajnë gjallë shpresat për kualifikim. Kroatët janë favoritë në këtë takim, por kanadezët treguan ndaj Belgjikës se do të jenë një kockë e fortë për çdo kundërshtar.

Dy superfuqi të kontinentit europian do të përballen në mbrëmje në “Al Bayt Stadium”, në një sfidë që mund të vendosë shumë mbi skuadrat që do të kualifikohen nga grupi E. Pas humbjes së papritur ndaj Japonisë, sfida e sotme kundër Spanjës është vendimtare për Gjermaninë. Një tjetër disfatë do të eliminonte 4 herë kampionët e Botës nga Katar 2022. Spanja shkëlqeu në debutim, duke fituar thellë ndaj Kosta Rikës dhe një tjetër sukses përballë rivalëve gjermanë do të siguronte kualifikimin në turin tjetër.

Gjermania synon që të evitojë një eliminim tjetër të turpshëm nga Botërori, por statistikat përballë Spanjës nuk janë shumë shpresëdhënëse. Gjermanët kanë fituar vetëm 1 nga 7 ndeshjet e fundit ndaj “furisë së kuqe” (miqësore në nëntor të vitit 2014), ndërsa suksesi në një ndeshje zyrtare mungon që nga viti 1988, kur Gjermania fitoi 2-0 në Kampionatin Europian. / Oversport.tv

You may also like