“Bomba” e Pikesë: Mos u habisni nëse Ksavi qëndron te Barça

by admin
Spread the love

Ish-lojtari i Barcelonës, Xherard Pike, ka dhënë një intervistë për gazetën e së dielës “The Times” në të cilën ka folur për situatën e klubit të Barcelonës, trajnerit të saj Ksavi Hernandez dhe për projektin e tij “Kings League”.

Pikërisht duke u ndalur te trajneri i katalanasve, Pike, i cili për vite me radhë ka ndarë dhomat e zhveshjes me Ksavi Hernandezin, ka deklaruar se nuk do të jetë çudi nëse tekniku aktual ndryshon mendim dhe vazhdon bashkëpunimin me klubin. Kujtojmë se Ksavi diçka më shumë se një muaj më parë, deklaroi se do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit duke zgjedhur të mbyllë kontratën e tij me klubin një vit para skadencës së saj.

“Nuk mendoj se vendimi i Ksavit është njëqind për qind. Të shohim, mendoj se do të qëndrojë”, ka komentuar ai, ndërsa ka dribluar më tej duke mos treguar shumë nëse ka folur me të për këtë çështje apo jo. “Unë nuk flas çdo ditë me Ksavin, por ne kemi biseduar disa herë. Dua më të mirën për të, sepse me siguri do të jetë më e mira për klubin” tha Pike.

Një deklaratë e tillë e bërë nga Pike bie ndesh me pozicionin e trajnerit të Barcelonës. Që pas vendimit të tij për t’u tërhequr, në shumë nga konferencat e tij për shtyp kur është ngacmuar për vendimin e tij, Ksavi ka folur me siguri se vendimi është marrë, ai do të largohet në fund të sezonit, ndonëse gjithmonë ka shtuar “tani për tani”. Ajo që ka shtuar më shumë dyshimet ka qenë dhe deklarata e fundit e Ksavit, para ndeshjes kundër Atletikos, ku ai saktësoi se po merr pjesë në planifikimin sportiv për sezonin e ri. “Unë marr pjesë në planifikimin e sezonit të ri sepse e dua këtë klub. Vendimi im nuk ndryshon dhe përpiqem të ndihmoj sa më shumë që të jetë e mundur. Unë jam njeri i klubit, gjithçka që mund të ndihmoj, do ta bëj”.

PANORAMASPORT.AL

You may also like