Bolsonaro në paradën madhore ushtarake të 200-vjetorit të pavarësisë së Brazilit (fotot)

by admin
Spread the love

Presidenti Jair Bolsonaro merrte pjesë sot në paradën ushtarake të 200-vjetorit të pavarësisë së Brazilit, shoqëruar nga homologu portugez Marcelo Rebelo de Sousa.

Megjithë akuzat e kritikëve se po shfrytëzonte paradën e ditës kombëtare për të shtuar shanset në zgjedhje, ai u tha mbështetësve se sondazhet që nuk e tregojnë në krye, janë një “gënjeshtër.”

Brazili shkon në zgjedhjet presidenciale të tetorit dhe opinioni duket i ndarë mes të djathtit Bolsonaro dhe ish-presidentit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva.

Sot pas paradës madhore të ushtarëve, tankeve e autoblindave në bulevardin kryesor të  Brasilia, Bolsonaro dha një fjalim të zjarrtë për mbështetësit në kryeqytet.

Ish-ushtaraku denonconte sondazhet e institutit vendas Datafolha që e tregonin disa pikë prapa Lula-s, duke thënë se fushata është një “betejë e të mirës ndaj të keqes”.

“Ata nuk duan të rikthehen në skenën e krimit,” tha ai duke iu referuar akuzave të mëparshme të korrupsionit ndaj Lula, që ka qenë president nga 2003 deri në 2010.

Mbështetësit e Bolsonaro thonin se sulmet e sistemit gjyqësor ndaj tij janë të pajustifikuara.

“Brazili është në tension sepse ata duan të rivendosin komunizmin me ndihmën e gjykatave”, tha 53 vjeçari Claudio Berrios, mbështjellë me flamurin brazilian.

“Bolsonaro, aktivizo ushtrinë për të rrëzuar gjykatën,” shkruhej në pankartën e mbështetëses 64-vjecare Suely Ferreira.