LONDËR, 2 tetor /ATSH-DPA/ – Një organizatë bamirëse hebreje tha se ka regjistruar më shumë se 5 500 incidente antisemite në Britaninë e Madhe përgjatë një viti, që nga sulmet e 7 tetorit të Hamasit kundër Izraelit.
Trusti i Sigurisë së Komunitetit (CST) tha se 5 583 incidentet e regjistruara midis 7 tetorit 2023 dhe 30 shtatorit janë totali më i lartë i çdo periudhe 12-mujore.
Shifra është trefishi i periudhës 12-mujore të mëparshme, ku u regjistruan 1830 incidente në total.
Organizata bamirëse, e cila monitoron antisemitizmin dhe ofron siguri për komunitetin hebre në Britani, tha se shumica e incidenteve morën formën e sjelljes abuzive (4 583), ndërsa të tjerat përfshinin kërcënime (401) ose sulme (302).
Është regjistruar një incident i asaj që ajo e përshkroi si dhunë ekstreme.
Shumica e incidenteve janë regjistruar në Londër (3 167), ndërsa 729 janë regjistruar në Mançester dhe 642 në West Yorkshire.
”Ka pasur 1 400 incidente vetëm në tetor 2023”, tha CST dhe më shumë se 200 janë regjistruar çdo muaj që atëherë.
Kryeministri britanik Keir Starmer është zotuar të luftojë “ringjalljen e antisemitizmit”.
Në një fjalim muajin e kaluar, ai tha se qeveria e tij “nuk do t’i shmanget kësaj”, duke shtuar se “ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të shohim nga ana tjetër”./ a.jor.