BM – Faturat e energjisë elektrike tej çdo parashikimi

by admin
Spread the love

LONDËR, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Familjet në të gjithë Britaninë e Madhe janë paralajmëruar se mund të përballen me një faturë vjetore të energjisë mbi 3 600 sterlina (4 401 dollarë) këtë dimër.

Konsulenti i energjisë ”Cornwall Insight” tha se një faturë e rregullt e gazit dhe energjisë elektrike në Angli, Uells dhe Skoci mund të arrijë në 3 615 sterlina në vitin e ri, që është qindra sterlina më shumë se parashikimet e mëparshme.

Në maj, qeveria britanike njoftoi një paketë mbështetëse për kostot e energjisë – me vlerë 400 paund për familje – në përgjigje të parashikimeve që faturat do të rriteshin në 2 800 paund për një familje mesatare në tetor.

Muajin e kaluar, ”Cornwall Insight” parashikoi që faturat vjetore të energjisë zakonisht do të rriteshin në 3 244 paund nga tetori dhe 3 363 paund nga janari, por rrethanat kanë ndryshuar ndjeshëm që atëherë.

Kompania i tha emisionit ”BBC Breakfast” se një faturë e tillë tani ka të ngjarë të rritet në 3 358 sterlina nga tetori dhe 3 615 sterlina nga janari.

Konsulenti kryesor i ”Cornwall Insight”, Craig Lowrey, tha se rritja e çmimeve të gazit dhe shqetësimet rreth furnizimit rus e kishin nxitur këtë rritje.

“Megjithatë, ndërsa rritja e parashikimeve për tetorin dhe janarin është një shqetësim i ngutshëm, nuk është vetëm niveli – por kohëzgjatja – e rritjeve që i bën këto parashikime të reja kaq shkatërruese”, tha ai.

Lowrey iu bashkua ekspertëve të tjerë duke thënë se mbështetja e qeverisë do të ndikojë pak te familjet./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like