Blinken, takim me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit

by admin
Spread the love

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit të hënën në një përpjekje për të lehtësuar tensionet dhe për të forcuar një armëpushim të brishtë midis dy vendeve ish-sovjetike pas shpërthimit të luftimeve më të ashpra në më shumë se dy vjet.

Blinken bashkoi ministrin e Jashtëm armen Ararat Mirzoyan dhe ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov në një hotel në Nju Jork, në prag të fillimit të takimit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky ishte takimi i parë ballë për ballë i ministrave të jashtëm që nga shpërthimi i luftimeve dy ditëshe të javës së kaluar, në të cilat u vranë më shumë se 200 ushtarë.

Vetëm Sekretari Blinken foli në fillim të takimit, në të cilin delegacionet armene dhe azere u ulën përballë njëri-tjetrit, të ndarë nga zyrtarët amerikanë.

“Ne jemi të inkurajuar nga fakti që luftimet kanë pushuar dhe nuk ka patur” një rifillim të bombardimeve, tha Blinken, i cili ka biseduar disa herë me udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit në ditët e fundit.

“Angazhimi i fortë dhe i qëndrueshëm diplomatik është rruga më e mirë për të gjithë”, tha ai. “Ka një rrugë drejt paqes së qëndrueshme dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.”

Takimi u mbajt vetëm një ditë pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi vizitoi Armeninë dhe dënoi sulmet e Azerbajxhanit, duke shkaktuar reagime nga zyrtarët në Baku.

Duke folur përpara takimit të së hënës, Bayramov tha se vendi i tij është “i kënaqur me nivelin e marrëdhënieve” me Shtetet e Bashkuara dhe tha se bisedimet e tij të drejtpërdrejta me zotin Mirzoyan nuk ishin të pazakonta.

“Ne jemi gjithmonë të hapur për takime”, tha ai.

Dy vendet e Kaukazit janë përfshirë në një konflikt dhjetëvjeçar rreth Nagorno-Karabakut, një rajon që ndodhet brenda Azerbajxhanit, por që ka qenë prej kohësh nën kontrollin e forcave armene të mbështetura nga Jerevani, që nga përfundimi i një lufte separatiste në vitin 1994.

Gjatë një lufte gjashtëjavore në vitin 2020, Azerbajxhani rimori pjesë të mëdha të Nagorno-Karabakut dhe territoreve ngjitur të kontrolluara nga forcat armene. Më shumë se 6700 njerëz vdiqën në ato luftime.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë fajësuar njëri-tjetrin për fillimin e përleshjeve të javës së kaluar./voa


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like