Blic bisedë me biznesmenin Xhemail Dauti: Korridoret 8 dhe 10D, një mundësi për zhvillim të gjithmbarshëm

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Dy korridoret nuk duhet të mbeten vetëm në infrastrukturë rrugore, por duhet të plotësohen me lidhje tjera të komunikacionit, para së gjithash, me hekurudhë, si dhe të ngriten largpërçues të rrymës, dhe të urbanizohen hapësirat përreth ku mund të investojnë bizneset. Punët kanë nisur tashmë në jetësimin e Korridorit 8, të nisur këtu e tri dekada më parë, e të cilit i humbën gjurmët rrugës! Javën e kaluar, siç u cek edhe në media, ky korridor u ringjall dhe u rikthye nga harresa që e kishte mbuluar. Për rëndësinë e tij fjalën e tyre e thanë përfaqësuesit e lartë të qeverisë dhe të kompanive që do të realizojnë, por dhe subjekte tjera.

Shpresën më të madhe e kanë degët më të shumta ekonomike, të cilat presin të përfitojnë dhe kuptohet, në tërësi ekonomitë e vendeve që lidhen me Korridorin 8 dhe atë 10D. Mu për këtë, bisedojmë me njërin nga biznesmenët më të njohur në Maqedoni, Xhemail Dautin, pronarin dhe menaxherin e Kompanisë “Dauti-Komerc”, e cila ka shtrirje në disa vende të Ballkanit, por që me bashkëpunimin tregtar, ndër vite e ka frekuentuar këtë linjë komunikacioni për qarkullimin e mallrave.

Politiko.mk: Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Korridoret 8 dhe 10-D, gjithë përmendin rëndësinë e tyre në zhvillimin e biznesit. Çfarë në të vërtetë do të thonë këto lidhje komunikimi në këtë relacion ku lidhen tri shtetet në vijën Perëndim – Lindje, me botën tjetër?

Xhemail Dauti:Korridori 8, apo siç njihet në formulimet perëndimore Korridori Paneuropian 8, është një aks komunikacioni shumë i rëndësishëm për Evropën dhe është korridori i dhjetë në të cilin investon BE-ja. Rëndësia e Korridorit 8 është jetik për ekonominë e vendit, pasi u mundëson kompanive qasje në tregjet evropiane. Investimet në infrastrukturë, janë investime strategjike-kapitale dhe kanë për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit dhe nxisin investime, qofshin ata direkte apo indirekte. Ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e klimës së biznesit jo vetëm të një shteti, por të rajonit, në rastin konkret të Ballkanit Perendimor. Traseja e Korridiorit 8 do të lidhë Azinë me Evropën, portet detare nga Deti i Zi në Detin Adriatik, ndërsa Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të jenë vende tranzite. Kjo infrastrukturë në të ardhmen do të rrisë shkëmbimet tregtare mes vendeve të rajonit, duke u bërë faktor i zhvillimit të gjithmbarshëm.

Politiko.mk: Ju si biznes a keni ndjerë deri tash si hendikep faktin se Korridori 8 u nis para tre dekadash dhe mbeti në gjysmë?

Xhemail Dauti: Infrastruktura është një nga parakushtet dhe planifikimet që bëjnë kompanitë për të zhvilluar një biznes. Infrastruktura rritë dinamikën e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, njëkohësisht nxit edhe shërbime tjera logjistike. Ne si kompani tregtare e kemi ndjerë dhe po e ndjejmë ende këtë si hendikep, pasi që jemi të përfshirë në katër shtete rajonale dhe kjo e vështirëson dhe e ngadalëson funksionimin tonë. Nga ana tjetër, një nga parakushtet e anëtarësimit të vendit është zhvillimi infrastrukturës, jo rastësisht Bashkimi Evropian mbështet zhvillimin e infrastrukturës, nëpërmjet ndërtimit të korridoreve.

Politiko.mk: Ju shpesh i keni përmendur këto lidhje komunikimi si faktor zhvillimi? A jeni optimistë se këto dy korridore do të bëhen faktorë të vërtetë të zhvillimit të bizneseve dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të vendeve që i lidh tri vendet me Evropën dhe Azinë? Qeveria duket se pret edhe zhvillim edhe të degëve të reja ekonomike, pas jetësimit të tyre?

Xhemail Dauti: Ky projektë kapital do të japë input zhvillimit ekonomik në vend, rajon dhe Evropë. Përfitues më të mëdhej do të jenë vendet e Ballkanit Perendimor si dhe kompanitë rajonale me shërbimet e tyre. Korridori 8 hap mundësi për realizimin e bizneseve të reja dhe qarkullimin më të lehtë të njerëzve, shërbimeve dhe mallrave, si një parakusht për ekonomi të shëndoshë dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, në vendin tonë por edhe më gjerë në rajon. Por, dua të shtoj edhe diçka që mendoj se është tepër e rëndësishme. Këto dy korridore, nuk duhet të mbeten vetëm në infrastrukturë rrugore, por duhet të plotësohen me lidhje tjera të komunikacionit, para së gjithash, me hekurudhë. Prandaj, ne si komunitet biznesi presim që përskaj ndërtimit të autostradës luksoze me shumë korsi, të ngriten edhe kapacitetet e përçuesve të rrymës elektrike përreth korridoreve, ndërsa nevojitet që të ndërtohet edhe linja hekurudhore për trenat e shpejtë që do të lidhnin portet e Varnës, Selanikut dhe Durrësit, dhe të bëhet edhe urbanizimi i hapësirave përreth, ku do të mund bizneset të investojnë. Pra, ashtu si ne e shikojmë këtë projekt, është me gjithë plotëninë e nevojave që kanë vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre.(Politiko.mk)

You may also like