Bislimi shpjegon si ndodhi reciprociteti dhe përse u shty zbatimi

by admin
Spread the love

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shpjegoi situatën në raport me BE-në, pas vendimit të qeverisë për vendosjen e masës së reciprocitetit.

Bislimi deklaroi se në momentin kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin, BE-ja ka qenë në rregull me ketë veprim.

“E vetmja brengë që ka ekzistuar është se në ç’masë Ministria e Punëve të Brendshme disponon me kapacitete të mjaftueshme që të akomodojë 9 mijë kërkesa eventuale për regjistrim të veturave brenda një periudhe dymujore”, thotë Bislimi, sipas të cilit, këtë brengë, qeveria e ka shmangur, duke treguar se në rast se procesi nuk mund të përfundojë më 30 shtator, për shkak të mungesës së kapaciteteve të autoriteteve shtetërore, atëherë me shumë dëshirë do të zgjatet afati në mënyrë që assesi problem të mos jenë kapacitetet shtetërore.

Zv/kryeministri Bislimi tutje tha se qeveria ka pasur argumentimin ndërkombëtar se masa është legjitime, është në pajtim me marrëveshjet e dialogut dhe që nuk ka asnjë brengë.

“Por fatkeqësisht, më 31 korrik, ne na ka ardhur një kërkesë nga Brukseli, përkatësisht nga zoti Borrell që masa të shtyhet”, thotë Bislimi.

“Personalisht, mendoj që nuk ka qenë kërkesë qëllimmirë dhe nuk ka qenë mjaftueshëm e argumentuar”.

Sipas Bislimit, argumentimi i kërkesës nga Borrell ka qenë se do të ketë tensione dhe që ka shumë dezinformata në veri, prandaj ka nevojë edhe për një fushatë pak më të gjatë të argumentimit.

“Edhe pse aty shprehet ndoshta frikë, sepse shtyrja jodomosdoshmërisht do të ndihmojë në shmangien e këtij argumenti të mosinformimit. Kjo nënkupton që Brukseli e ka të ditur se tensioni nuk është i krijuar në vend nga ana e qytetarëve, por është i importuar nga qendra e Serbisë, që nënkupton se ne fakt, shtyrja prej 30 ditësh të përdoret më shumë që politikisht t’i bëhet më shumë presion Vuçiqit, që të mos bëjë organizime apo inskenime të skenarëve të tillë”, tha Bislimi në RTK.

 

You may also like